Hapja e arkivave të UÇK’së, Limaj: Besnik Bislimi s’e di se çka ka bërë

I ftuar në emisionin “Prime” të RTK-së, kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka folur edhe për pajtimin e delegacionit të Kosovës dhe atij të Serbisë në Bruksel rreth arkivave të luftës.

Limaj ka thënë se Kosova nuk ka arkiva të luftës së UÇK-së. Sipas tij, ato arkiva nëse kanë ekzistuar, i ka pasur NATO-ja dhe UNMIK-u.

Ai e ka kritikuar qasjen e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, i cili është i ngarkuar me dialogun në Bruksel. “Ai (Besnik Bislimi) s’e ka idenë dhe peshën edhe asaj që ka thënë. Prandaj e relativizon. Mënyra se si e arsyeton një marrëveshje me ka shqetësuar. Ne s’kemi çka fshehim, shihe çfarë konstatimi bën në Bruksel. Nuk shkon kjo kështu”, ka thënë Limaj.

Sipas tij, Serbisë duhet t’i thuhet qartë që është shtet që ka ushtruar dhunë në Kosovë, ka bërë masakra deri në gjenocid.

“Duhet t’i thuhet se jeni shtet që keni ushtruar dhunë, maskara, gjenocid dhe ju keni proceverbale të aksioneve dhe ju duhet të na tregoni se ku i keni vrarë dhe varrosur njerëzit tanë, kush i ka marrë nga zhvarrimi dhe kujt ia keni dorëzuar. Ata nuk kanë thënë asgjë për krimet e luftës. Negociatat janë ndryshe, duhet me pas kujdes mos me e ngarku shtetin me obligime të paqena. Kosova nuk ka pasur çka të fsheh dhe nuk duhet të barazohet shteti me Serbinë me hapjen e arkivave”, tha ai.