Hapet zyrtarisht Ura Tibetiane në Rugovë të Pejës

Gryka e Rugovës tashmë ka një nga urat më të veçanta që gjenden në Kosovë dhe jo vetëm. Ura Tibetiane është hapur zyrtarisht, së bashku me Via Ferrata “Marimangat”, në kilometrin e  gjashtë të Grykës së Rugovës. Për ndërtimin e kësaj ure janë shpenzuar rreth 14 mijë euro.

Sipas njoftimit të Komunës së Pejës në Facebook, kjo është ura më e gjatë në Gadishullin Ballkanik me gjatësi 41 metra dhe lartësi 60 metra.

“Ky inovacion turistik është projekt kapital i financuar nga Komuna e Pejës – Drejtoria për Zhvillim Ekonomik, Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim përmes projektit Promovimi i Punësimit në Sektorin Privat dhe implementuar nga Shoqata e Alpinistëve ‘Marimangat e Pejës’”, thuhet në njoftimin e Komunës së Pejës.

Në inaugurimin e kësaj ure mori pjesë edhe kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri dhe Drejtoresha për Zhvillim Ekonomik në Komunën e Pejës, Xhenet Syka.