Hapet tenderi për ndërtimin e Rrugës A në Prishtinë prej 9.5 milionë eurosh

Komuna e Prishtinës ka nisur zyrtarisht procedurat për vënien në zbatim të projektit të Rrugës A, e cila do të lidhë Lagjen e Spitalit, Kalabrinë dhe lagjen Mati.

I konsideruar si një nga projektet me më shumë prioritet të qeverisjes së Përparim Ramës, projekti pritet të fillojë ndërtimin sapo të përzgjidhet kompania fituese e një tenderi publik për të cilin janë ndarë 9.5 milionë euro.

Komuna e Prishtinës ka bërë sot hapjen e tenderit për “Ndërtimin e Rrugës A – pjesa e parë”, si dhe ka ftuar operatorët ekonomikë të marrin pjesë në procedurën e prokurimi.

Por, për të ofertuar në këtë tender, Zyra e Prokurimit të Komunës ka vendosur disa kritere për kompanitë apo konsorciumet private.

“Operatori ekonomik duhet ti ofrojë dëshmi të kënaqshme Autoritetit Kontraktues se qarkullimi vjetor i Operatorit Ekonomik, gjatë tri vjetëve të fundit fiskal ka qenë prej jo më pak se 19 milionë euro”, thuhet në një nga kriteret për ofertim në tender.

Vlera e parashikuar e tenderit, sipas njoftimit të komunës, është 9.5 milionë euro.

Komuna ka njoftuar se operatorët mund të vijnë të marrin projektin çdo ditë pune prej orës 09:00 deri në 15:00 në Departamentin e Prokurimit.

Në vitin 2019 ka qenë në plan të fillojë ndërtimi i ‘rrugës A’, e cila do të lidhte Lagjen e Spitalit, Kalabrinë dhe lagjen Mati, por e gjitha kjo procedurë ishte shtyrë për shkak të ndryshimit të qeverive dhe çështjeve pronësore.

Ndërsa, në vitin 2021, komuna e kishte futur në projektbuxhet, por nuk ishin ndarë mjetet nga Ministria e Infrastrukturës, e cila do ta bashkëfinanconte këtë projekt.

Sipas projektit fillestar, bashkë me rrugën pritet të ndërtohet edhe kolektori i ujërave të zeza nga Mati në lagjen Kalabria, projekt ky i lënë në gjysmë për shkak të çështjeve të pazgjidhura pronësore nga ana e Komunës. /Paparaci.com