Hapet Java e Parasë

Është hapur sot “Java Ndërkombëtare e Parasë në funksion të Edukimit Financiar”, ku u nënshkrua memorandumi i mirëkuptimit në mes të BQK-së dhe MASHT-it në kuadër të edukimit financiar.

Guvernatori i Bankës Qendrore Fehmi Mehmeti, këtë javë, tha se me qëllim të krijimit të kulturës financiare, njohuritë mund të krijohen vetëm me një edukim financiar.Ai tha se nënshkrimi i marrëveshjes me MASHT-in do të jetë një fillim i mbarë në këtë drejtim.

“BQK është e përkushtuar në rritjen ekonomike në vend, posaçërisht e përkushtuar në mbrojtje të konsumatorit”, tha ai.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi u shpreh se ky memorandum bashkëpunimi me BQK-n është tejet i rëndësishëm. Ai bëri të ditur se shumë shpejt së bashku me BQK-nw do të shpërndajnë tekstet shkollore që kjo fushatë të jetë afatgjatë dhe të arrijë cakun e synuar.

“Ne kemi nevojë të kemi një pjesë të mirë të edukimit për shfrytëzimin e parasë. E veçanta e kësaj jave ka të bëjë edhe me ndarjen e çmimeve që kanë marrë pjesë në konkursin ‘Mëso, kurse, fito’. Ne si institucion jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me çdo institucion që synon rritjen e cilësisë të sistemit arsimor”, tha ai.

Marco Mantovanelli nga Banka Botërore tha se edukimi financiar është element shumë i rëndësishëm për të arritur gjithëpërfshirjen financiare.

“Ngritja e transparencës, përfshirja dhe përmirësimi i sistemit të pagimit në vend me partneritet me BQK jemi duke bërë programin rajonal për remitenca dhe pagesa që financohet nga SECO zviceran, program gjithëpërfshirës që ka të bëj me reformat ligjore, njohuritë financiare, përmirësimet që të rritet efikasiteti i transferit dhe përdorimit të remitencave”,tha ai.

Patric Etienne nga SECO (Sekretariati Shtetëror i Zvicrës për çështje ekonomike) tha se çdo angazhim në remitenca do të sjellë rezultate të mira.

“Specifika e programit është se piloton programin financiar në Pejë dhe Prizren dhe nëpërmjet programeve për të trajtuar remitencat, duke marrë parasysh edukimin financiar. Besojmë se sa më afër që janë institucionet me qytetarët, aq më llogaridhënës janë. Niveli komunal në Kosovë po punon më shumë sesa ai qendror. Remitenca nuk është një model i qëndrueshëm dhe është alarmuese situata ku të rinjtë janë të gatshëm për tu larguar nga vendi për shkak të nepotizmit dhe arsye të tjera dhe këtu duhet të punohet më shumë”, tha ai.

Në fund, u ndanë çmime për nxënësit fitues të konkursit “Mëso, kurse, fito”