Hapet ekspozita për Skënderbeun, prezantohen afër 40 libra për heroin

Për dy ditë radhazi qytetarët e Republikës të Kosovës do të kenë rastin të shohin afër 40 libra të vjetër për Skënderbeun, të ekspozuar në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani”.

Kjo pasi është hapur sot ekspozita “Jeta dhe kohërat e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, Heroit Kombëtar Shqiptar”, e koleksionit të Librave Antikuar të koleksionistes së njohur britanike, Patricia Nugee.
Drejtori i Bibliotekës kombëtare, Fazli Gajraku, vlerësoi se ekspozita e sotme është ndër më të rrallat që mbahet në këtë bibliotekë.

Këshilltari i kryeministrit të Kosovës, Jahja Lluka bëri të ditur se për nder të Vitit të Skënderbeut, Qeveria e Kosovës ka organizuar një mori aktivitetesh, e ndër to edhe mbledhjen e dy qeverive, asaj të Kosovës dhe të Shqipërisë, ku do të merren vendime të rëndësishme për tregti të lirë.

Koleksionistja Patricia Nugiee, e cila ka filluar koleksionimin e librave për Skënderbeun 30 vjet më parë, u shpreh e kënaqur me ekspozitën e ardhur në Prishtinë.

Ish-drejtori i Bibliotekës kombëtare, Sali Bashota tha se është krenari për popullin shqiptar grumbullimi i gjithë këtyre librave nga koleksionistja Ptricia Nugiee.

Krejt në fund, drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Fazli Gajraku i dha dhuratë koleksionistes Patricia Nugie emblemën e Bibliotekës Kombëtare, të punuar me dorë.

Ekspozita organizohet nën përkujdesjen e Zyrës së Sekretariatit të Qeverisë për Vitin Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut dhe Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”. Ndërsa ekspozita do të qëndrojë e hapur për dy ditë.

Ndryshe, Patricia Nugee, në vitin 2004, ia dhuroi Bibliotekës Kombëtare të Kosovës librin e Marin Barletit “Jeta dhe Vepra e Skënderbeut” të vitit 1533, i cili njëherësh është edhe libri më i vjetër në bibliotekë./KosovaPress/