Sot në Prishtinë është hapur festivali dyditor, i cili ka për qëllim promovimin e bizneseve të gjelbra në Kosovë dhe rritjen e ndërgjegjësimit dhe interesimit për riciklim, energjinë e ripërtërirë dhe energjinë efiçiente.
Risi sivjet është përfshirja e sektorit të ndërtimit si konsumues të mëdhenj të të gjitha këtyre produkteve.
Kryetari i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha, tha se sektori i prodhimit ka promovuar gjithmonë produktet Made in Kosova.
Festivali i Gjelbër i këtij viti organizohet nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës. Në këtë panair janë pjesë prodhues të sektorëve të ndryshëm, instalues që importojnë produkte nga vende të tjera, por që qëllimin e kanë energji efiçiente dhe riciklimin, energjinë e ripërtërirë.
Kjo ngjarje siguron një platformë rrjeti për bizneset e gjelbra, agjencitë qeveritare, donatorët dhe palët e interesuara të energjisë së gjelbër për të shkëmbyer praktika të qëndrueshme për mjedisin dhe për t’i bashkuar lëvizjes globale drejt një ambienti më ekologjik.
Këtë vit, 46 kompani dhe organizata nga Kosova do të ekspozojnë produktet e tyre në Pavijonin e Gjelbër.







