Komisioneri për negociata dhe zgjerim i BE-së, Johannes Hanh e ka ftuar Serbinë që pa marrë parasysh problemet, mos të heqë dorë nga qëllimi i saj – anëtarësimi në BE.

Hanh, gjatë debatit për Serbinë në Parlamentin Evropian, është pajtuar me vlerësimet e raportuesit David McCallister që Serbia ka bërë përparim të mirë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE.

“Me 14 kapitul të hapur, nga të cilët dy janë mbyllur përkohësisht, perspektiva e hyrjes së Serbisë në BE është e mirë dhe tregon angazhimin tonë të fuqishëm të BE-së për rrugën e Serbisë”, ka thënë ai, transmeton Ballkani.info.

Ai ka theksuar se perspektiva është veçanerisht e rëndësishme pas tensioneve të fundit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

“Të dy palet duhet ta vazhdojnë dialogun. Nuk ka alternativë për dialog nëse dëshirojnë përparim në rrugën e tyre drejt BE-së. Asnjë vend nuk mund t’i bashkohet Unionit pa zgjidhjen e çështjeve bilaterale. Për Serbinë kjo do të thotë se duhet ta përmbyllë marrëveshjen gjithëpërfshirëse me Kosovën para hyrjes në BE”, ka thënë Hanh. /Ballkani.info/