Hamza: Unë dhe Abelard Tahiri nuk pranuam pagat me ngritje

Ministri në detyrë i Financave, Bedri Hamza, ka thënë se kjo ministri tashmë ka ndarë rreth 6 milion euro për organizimin e zgjedhjeve.

Hamza, në RTV Dukagjini ka thënë se Ministria e Financave tashmë ka ndarë buxhetin nga fondi rezervë për mbajtjen e zgjedhjeve dhe sipas tij kjo çështje më nuk mund të diskutohet.

Ai ka thënë se nuk ka ndonjë dallim domethënës në shpenzimin e rezervave shtetërore të Qeverisë Haradinaj nga qeveritë e mëparshme, përcjell Telegrafi.

Hamza ka thënë se liderët e partive tjera politike për të evituar shkarkimin nga partitë e tyre për shkak të humbjes së zgjedhjeve, kanë akuzuar PDK-në për “vjedhje të votave”.

Zyrtari i PDK-së ka thënë se ai dhe ministri tjetër nga PDK, Abelard Tahiri, nuk kanë pranuar pagën me rritje ashtu siç bënë ministrat tjerë dhe kryeministri. Ai thotë se këtë e lejon teknikisht edhe ligji, duke u bërë pagesën sipas pagave të vjetra pa rritje.

“Kam qëndruar pas qëndrimeve se rritja e pagës edhe për ministrat duhet të jetë me ligj. Unë nuk kam pranuar pagën me rritje”.

Hamza ka thënë se pagat me rritje të gjithë punëtorët e sektorit publik do të fillojnë t’i marrin nga muaji dhjetor.

loading…