Në Kuvendin e Kosovës, ka filluar seanca e shqyrtimit të parë për Buxhetin e Kosovës për vitin 2026.

Bedri Hamza, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës ka thënë se e kupton që vendit i duhet buxhet dhe se beson se kanë bërë mirë që kanë votuar vendimin për zgjatje buxhetore.

“Nuk e kuptoj pse kjo urgjencë kaq e madhe, ne nuk dojmë dhe nuk lejojmë vonesa, por pse kjo urgjencë? Vetëm 2 arsye më shkojnë ndërmend. E para që të iu pamundësohet deputetëve, pozitë e opozitë që me diskutimet e tyre të japin edhe propozime e alternativa”- tha Hamza.

Si e dytë, ai tha se nuk do të besoj që kjo lidhet me çështjen e zgjedhjes së Presidentit.

Për Buxhetin e propozuar ka thënë se menaxhon status-quo-n.

“Ndikon në rritjen e konsumit në periudhë afatshkurtëre kurse në afatgjatë e zvogëlon hapësirën për investime kapitale. Këto shpenzime të rritura për subvencione dhe transfere e zvogëlojnë hapësirën fiskale dhe do të ndikojnë në pamundësinë e zgjerimit të bazës prodhuese dhe eksportuese”- tha Hamza duke shtuar se vërehet mosinvestim në sektorë strategjikë.

Seanca për buxhet ishte në rend të ditës të premten më 13.02.2026, mirëpo me kërkesë të partive opozitare “që ta analizojnë” u shty.

Buxheti ka vlerën 4 miliardë euro.

Përfaqësuesit e subjekteve parlamentare PDK, LDK dhe AAK, deklaruan në foltoren e Kuvendit që buxheti i propozuar nga Qeveria nuk e reflekton “këtë Qeveri”.

Sipas tyre, janë shtuar ministri të reja e që buxheti nuk është në përputhje me këto ndryshime. Ata kërkuan “tri ditë afat” për ta shqyrtuar dokumentacionin “700 faqësh.”

Ky buxhet ishte dërguar në Kuvend në tetor 2025, kur Qeveria ishte projektuar ndryshe. Tash me Qeverinë e re janë shtuar e ndarë ministritë.