Hamza: Familjet e pastreha do t’i vendosim me qira, komuna merr përsipër pagesën

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza, ka bërë të ditur në mbledhjen e Qendrës Operative Emergjente Lokale se duhet të bëhet identifikimi i familjeve pa strehë, që t’i vendosin me qira dhe se shpenzimet e qirasë do t’i mbulojë komuna.

“Më shumë se 40 familje janë evakuuar në gjithë qytetin dhe pasojat janë shumë të mëdha. Mbi të gjitha fatmirësisht nuk kemi pasur humbje të njerëzve. Ata kanë nevojë për gjithçka, pasi që shtëpitë janë të pabanueshme dhe urgjent duhet t’i qëndrojmë pranë njerëzve me pako ushqimore, veshmbathje, si dhe duhet të bëhet identifikimi i familjeve që janë pa strehë, t’i vendosim me qira dhe komuna të marr përsipër pagesën e qirasë”, ka thënë Hamza.

Hamza, sipas njoftimit të Komunës, ka kërkuar nga drejtoresha për Buxhet dhe Financa, Igballe Islami, që buxheti të jetë operacional dhe mjetet financiare të jenë në dispozicion për t’u dalë në ndihmë qytetarëve të prekur nga vërshimet.

Qytetarët që kanë nevojë emergjente mund të thërrasin në Qendrën Operative Emergjente 112 dhe në Policinë e Kosovës, në numër të telefonit 192.