Hamiti: Tre universitetet që nuk u akredituan u hapën nga PDK-ja për vota

Profesori universitar, Muhamet Hamiti ka reaguar pas vendimit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë për mos akreditimin e Universitetit të Mitrovicës, Pejës dhe Prizrenit dhe disa kolegjeve private. Hamiti ka thënë se këto tri universitete ishin hapur në kohë zgjedhjesh për vota, derisa për bartësit e arsimit privatë ka deklaruar se mbajnë parashenja të qarta të skemave piramidale.

Përmes një postimi në Facebook, Hamiti ka thënë se universitete publike për të cilat KSHC’ja vendosi që të mos akreditohen janë hapur në kohë zgjedhjesh për vota nga PDK’ja.

Hamiti ka thënë se ashtë kohë e fundit që të vihet rend në arsimin e Kosovës, që siç ka thënë është qeverisur e po qeveriset keq tash e një dekadë.

“Tash u bë e qartë për këdo – se profesionistët me dinjitet e kanë ditur prej fillimi- se këto skema politike-arsimore nuk i përballojnë standardet elementare akademike ndërkombëtare. Këto çerdhe ‘kombëtarizmi’, po të ishte në dorën e licensuesve politikë, do të ruanin akreditimin. Para standardeve akademike bien, siç bien skemat në fund të fundit”, ka shkruar ai.

Ky është postimi i tij i plotë:

SKEMA POLITIKE E SKEMA PIRAMIDALE NË ARSIM

Një sërë universitetesh politike janë ngjizur në Kosovë si skema politike, në stinë elektorale, në radhë të parë nga PDK-ja, partia pushtetare e dekadës sē vjetër që po e synon edhe Dekadën e Re. Premtohej hapja e universiteteve publike në provinca siç premtohet në fushatë asfaltimi i një rruge fshati. U bënë për vota. Militantët partiakë u bënë profesorë, dekanë e rektorë, siç u pa edhe në këto ditë vere. Për meritat e tyre politike, jo akademike, se këto u mungojnë.

Tash u bë e qartë për këdo – se profesionistët me dinjitet e kanë ditur prej fillimi- se këto skema politike-arsimore nuk i përballojnë standardet elementare akademike ndërkombëtare. Këto çerdhe ‘kombëtarizmi’, po të ishte në dorën e licensuesve politikë, do të ruanin akreditimin. Para standardeve akademike bien, siç bien skemat në fund të fundit.

Një pjesë e konsiderueshme e bartësve privatë të arsimit të lartë në Kosovë mbajnë parashenja të qarta të skemave piramidale. (Pagesa është kusht, por jo provimi pranues për t’u regjistruar në këto ente, ta zëmë.) Edhe rënia e tyre është e paevitueshme.

Është kohë e fundit që të vihet rend në arsimin e Kosovës, që është qeverisur e po qeveriset keq tash e një dekadë.

Duhet të bjerë Qeveria, ndërsa promovuesit e skemave të ndyra politike-piramidale në arsim të ndëshkohen me votë.

Këta që janë në pushtet tash e kanë katandisur Kosovën keq në të gjitha fushat.

loading…