Hamiti: Rugova ishte mysliman simbolik, asnjëherë s’u konvertua në katolik

Sot është shënuar 15 vjetori i vdekjes së presidentit të parë të Kosovës, Ibrahim Rugova. Në këtë ditë të shënuar, homazhe te varri i tij kanë bërë të gjithë liderët institucionalë dhe partiakë të Kosovës.

Ndërkohë, në emisionin “Imazh” të RTK-së, dy ish bashkëpunëtorët e Rugovës, profesorët Muhamet Hamiti dhe Milazim Krasniqi kanë folur për jetën dhe veprën e tij.

Ata e kanë vlerësuar lartë figurën e Rugovës, duke e vlerësuar si unifikues dhe burrështetas që hyn në mesin e figurave më të shquara të kombit.

Profesori Hamiti ka thënë se Rugova ishte angazhuar edhe për ballafaqim ushtarak me Serbinë, dhe se përballja e tij me Serbinë ka ndikuar edhe në organizimin çlirimtar të Kosovës.

Sipas tij, politika e Rugovës dhe lufta çlirimtare e kanë komplementuar njëra-tjetrën.

I pyetur për atë që ende është debat në Kosovë sa i përket përkatësisë fetare të Rugovës, Hamiti ka thënë se ekziston një libër i botuar në vitin 1991 kur Rugova thoshte se ishte mysliman.

“Rugova ka qenë mysliman, mysliman simbolik siç thoshte ai dhe kurrë nuk është konvertuar”, ka thënë Hamiti, duke shtuar se janë qesharak ata që e thonë të kundërtën,

Të njëjtën gjë e ka thënë edhe profesori Krasniqi.

“Natyra e Rugovës ka qenë liberale. Kurrë nuk e kam dëgjuar të thoshte për njerëzit se janë ashtu apo kështu. I ka respektuar të gjithë, si myslimanët, si katolikët, si ortodoksët. Ai nënën e tij e ka pasur praktikues të fesë myslimane”, ka thënë Krasniqi.

Sipas tij, Rugova ishte figurë përbashkuese. /Ballkani.info/