Anëtari i LDK-së

Hamiti i LDK-së: Kurti e Vetëvendosja s’e shohin shtetin të përhershëm, s’e duan e s’është i tyre

Muhamet Hamiti i LDK-së tha se ndryshimi i proklamuar prej Vetëvendosjes ka ndodhur, por, sipas tij, për të keq.

Në trevjetorin e Qeverisë Kurti, Hamiti tha se nën këtë qeverisje, Kosova është e sanksionuar dhe akuzoi për korrupsion masiv.

“Tri vite të Qeverisë së Vetëvendosjes. Ndryshimi i proklamuar prej tyre ka ndodhur. Ndryshim për të keq, natyrisht. Kosova për herë të parë është nën sanksione ndërkombëtare për fajin e kësaj Qeverie diletantësh. Qindra milionë euro vlera e projekteve të bllokuara të BE-së. Korrupsioni qeveritar në kulminacion. Korrupsioni masiv dhe shkeljet serike të ligjeve dhe të Kushtetutës së Kosovës janë veprimtaria kryesore e këtij pushteti të mbrapshtë. Me këto rezultate është krenare kjo Qeveri e Vetëvendosjes”, ka shkruar ai.

Ai gjithashtu shtoi se të rinjtë po ikin drejt vendeve ku po punohet më mirë.

“Të zhgënjyer me Qeverinë e Shpresës së VV-së, profesionistët dhe të rinjtë po e braktisin atdheun. Atdhe të ri nuk gjejnë, por vend ku punohet më mirë po”.

Sipas Hamitit, Kurti me Vetëvendosjen s’e shohin Kosovën si shtet të tyre e të përhershëm dhe nuk e duan.

“Albin Kurti dhe Vetëvendosja e tij po e konsumojnë jo vetëm pushtetin por edhe shtetin. Shtetin e Kosovës nuk bën t’i lejojmë ta konsumojnë. S’e shohin të përhershëm, s’e duan, s’është i tyre. E kemi bërë, e shohim të përhershëm, e duam, është yni, i qytetarëve të Kosovës”.