Kandidati për deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Hamdi Komoni – Loki, ka vlerësuar tubimin e mbajtur sonte në Deçan, duke e cilësuar atë si dëshmi të qartë të bashkimit dhe vendosmërisë së qytetarëve për zgjedhjet e ardhshme.

Përmes një postimi publik, Komoni thekson se Deçani, ndonëse “jo i madh në numra”, ka treguar edhe një herë se është “i madh në zemër, i madh në guxim dhe i madh në besnikëri”. Sipas tij, ky qytet ka dëshmuar forcën e vet në momentet më të vështira, ndërsa tubimi i mbrëmjes së sotme shënon “sinjalin e parë të kësaj gare” se AAK dhe mbështetësit e saj janë gati dhe më të bashkuar se kurrë.

Ai u bëri thirrje qytetarëve për unitet të plotë rreth Aleancës, liderit Ramush Haradinaj dhe koalicionit zgjedhor.

“Tani është koha që të gjithë të jemi një zë i vetëm, një krah i fortë dhe i vendosur. Të bëhemi krah i Liderit tonë, Ramush Haradinaj, krah i numrit 129 dhe krah i aleatëve tanë, që nuk na lanë vetëm atëherë kur ishte më së vështiri”, ka shkruar Komoni.

Në postimin e tij, kandidati për deputet nga AAK me numër 11 ka shprehur edhe falënderime të veçanta për organizimin dhe përkushtimin e strukturave lokale të partisë në Deçan, duke veçuar:

  • Shefin e Shtabit, Bashkim Ramosaj
  • Nënkryetarin e Komunës së Deçanit, Sami Cacaj
  • Shefin e Shtabit të Degës së AAK-së në Deçan, Trimor Gjikokaj

Postimi i Hamdi Komonit vjen në kuadër të aktiviteteve elektorale të AAK-së, ku Deçani po paraqitet si një nga bastionet kryesore të mbështetjes për Ramush Haradinajn dhe listën zgjedhore me numër 129.