Gaza

Hamasi liron 13 izraelitë dhe një numër shtetasish të huaj

Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Katarit thotë se 13 izraelitë dhe një numër shtetasish të huaj u janë dorëzuar tani Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq në Gaza.

Lirimi i këtyre pengjeve vjen pas një ngecje të raportuar më herët, ku Hamasi deklaroi se Izraeli kishte shkelur marrëveshjen e armëpushimit humanitar, transmeton Telegrafi.

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) gjithashtu e konfirmuan se 13 pengje izraelite janë tani në duart e Kryqit të Kuq.

IDF deklaroi gjithashtu se pengjet janë aktualisht rrugës së tyre për në Kalimin Rafah në Egjipt.

Kjo është dita e dytë e armëpushimit katërditor të arritur midis Izraelit dhe grupit Hamas, sipas të cilit pritet lirimi i disa pengjeve izraelite dhe lirimi i të burgosurve palestinezë nga Izraeli.

Në këtë marrëveshje parashihet gjithashtu edhe kalimi i ndihmave humanitare për në Gaza.