Aktorja

Halle Berry thotë se do të jepte jetën për fëmijët

Aktorja e mirënjohur e Hollywoodit, Halle Berry, ka thënë se do të bënte gjithçka për fëmijët, duke shtuar se për ta do të jepte edhe jetën.

“E dini, sikur çdo nënë që thotë ‘për fëmijët do t’i dilja plumbit përballë’. Do të bëja gjithçka për fëmijët e mi”, ka thënë ajo për Entertainment Tonight, duke shpjeguar se pse e ndjen veten shumë të lidhur me rolin e mamasë në filmin “Never Let Go”.

Ajo ka shtuar se ky rol i ka dhënë mundësi që të luajë me tërë qenien e saj, e me të vërtetë t’i vihet plumbit përball për fëmijët.

“Më ka bërë që me të vërtetë ta vë jetën në rrezik për ta dhe po, mendoj për fëmijët e mi të vërtetë gjatë gjithë kohës. Kjo jam unë, këto mendime e ndjenja më përbëjnë mua”, ka treguar aktorja.

Në filmin në fjalë aktores i duhet të rrjepë një ketër si pjesë e skenarit dhe ka pranuar se fëmijët e saj nuk do të reagonin mirë ndaj asaj skene.

“Vajza ime do të neveritej dhe do të pyeste se pse ia bëra atë një ketri. Djali im ndoshta nuk do ta shohë. Ai frikësohet pak, e ndoshta mund të shohë ëndrra të këqija natën. Nuk e di a duhet ta shohë ai atë skenë në këtë moshë”, është shprehur ajo.

Halle Berry ka dy fëmijë. Vajzën Nahla Ariela Aubry, e ka me ish partnerin, Gabriel Aubry. Kurse djalin, Maceo-Robert Martinez, me ish bashkëshortin e saj, Olivier Martinez.