Hallakatën mediat e pushtetit në Serbi pasi u përmend djali i Vuçiqit si njëri nga kriminelët që po trazon veriun e Kosovës

I ashtuquajturi drejtori i Zyrës për Kosovën, tha se listën për arrestimin e serbëve më të njohur dhe familjarëve të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq e ka hartuar vetë Albin Kurti dhe se Vuçiq “nuk do të sulmonte kurrë familjen e askujt më atë mënyrë”.

“Për dallim nga Kurti që donte të arrestonte gjithë familjen Vuçiq, presidenti Aleksandar Vuçiq nuk dëshiron të merret me familjen e Albin Kurtit dhe as të askujt tjetër, sepse familja është e shenjtë, nuk duhet prekur dhe këtë duhet ta mësojë Albin Kurti”, tha Petkoviq për TV Most.

Paterica e Vuçiqit më pas tha se “kjo listë është një kërcënim i drejtpërdrejtë për sigurinë e vëllait dhe djalit të presidentit, Andrej dhe Danilo Vuçiq, pra, siç tha ai, “vizatimi i një objektivi në ballë”.

“Lista është treguesi më i mirë se sa të justifikuara janë frikërat e serbëve në Kosovë, si dhe kërkesat për tërheqjen e listave të arrestimit. Cilat janë këto lista që u shfaqën dje dhe në çfarë baze u arrestua Miljan Axhiq”, pyeti Petkoviq.

Petkoviq u ka treguar gazetarëve ftesën për seancën e cila i është drejtuar Goran Rakiqit. “Rakiq ka marrë ftesë në qershor të këtij viti që t’i drejtohet drejtorisë për krime të rënda, vetëm se edhe ai ka qenë në atë listë, ku janë edhe shumë serbë të tjerë, vetëm se janë në barrikada”, ka kujtuar Petkoviq.

Edhe kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, është marrë me këtë “listë”, e cila dje është publikuar nga deputeti i Vetëvendosjes, Armend Muja. Në këtë “listë” janë të gjitha kriminelët e dyshuar serbë për trazira në veri të Kosovës, duke përfshirë edhe djalin e Vuçiqit dhe vëllain e tij.

“I vetmi ndryshim është se këtë herë e kanë bërë publike, edhe pse gjashtë ditë më parë e kanë mohuar zyrtarisht se po bëjnë lista të tilla. Dhe realisht, pas kësaj askush në bashkësinë ndërkombëtare nuk ka të drejtë të mbyllë sytë para fakti se as Prishtina nuk e fsheh më, e kjo është se ata kanë një listë të serbëve të padëshiruar, në atë listë janë emra që nuk kanë asnjë lidhje me politikën. Në atë listë janë emrat e vëllait dhe djalit të madh të Presidentit të Republika e Serbisë, ky është një provokim i ri, një destabilizim i ri i rajonit, një përpjekje e re për kaos, të cilën Kurti e bën vazhdimisht me synimin për të shkaktuar konflikt”, thotë Bërnabiq duke tentuar të viktimizohet si shefi i saj që këtë rol e luan më mirë se askush tjetër.

Kush është djali i Vuçiqit dhe roli i tij destabilizues në rajon:

Danilo Vuçiq, djali i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka qenë person i padëshirueshëm për shtetin e Malit të Zi në vitin 2021.

Vjet u raportua se dyshohet që atij i ishte ndaluar hyrja në shtetin malazez për shkak të lidhjeve me një klan kriminal.

“Danilo Vuçiq u shpall person me interes për sigurinë për shkak të afërsisë së tij me një klan kriminal që vepron si në Mal të Zi, ashtu edhe në Serbi. Disa herë në publik janë shfaqur pamjet ku Danilo Vuçiq ka qenë në shoqërinë e disa anëtarëve të atij klani dhe këtë e kanë parë jo vetëm qytetarët, por edhe shërbimet e sigurisë dhe për këtë është vendosur që Danilo Vuçiq të futet në këtë listë të personave, të cilëve u është ndaluar hyrja për masë paraprake në atë vend”, kishte thënë një burim i mirëinformuar i “Nova”-s nga Mali i Zi.

Po ashtu në vitin 2021 u raportua se gazeta serbe “Danas” ishte vënë në shënjestër të pushtetit në Serbi pas raportimit për djalin e Aleksandar Vuçiqit, Danilon.

Danilo Vuçiq siç shkruante “Danas”, bashkë me një grup personash i kanë dhuruar një çantë me para (30 mijë euro), një makinë dhe një banesë një të dënuari për krime lufte i cili ka vuajtur dënimin në Kroaci dhe pas lirimit është kthyer në Beograd.

Bëhet fjalë për “Kapiten Draganin”, i cili në një konferencë për media e ka pranuar edhe vetë se Danilo ka qenë bashkë me delegacionin që e ka pritur pas daljes nga burgu dhe i kanë dhuruar një thes me para.

“Kur nuk e godasin dot Vuçiqin, përmendin djalin e tij. E takova Danilon kur më priti si pjesë e delegacionit pasi doli nga burgu trembëdhjetë vjeçar. Pastaj mora një thes me para, nuk e di nëse Danilo futi ndonjë gjë në të, ndoshta shumë pak. Ai po sulmohet sepse po priste heroin e tij”, ka thënë ai.

Dragan Vasiljkoviq me nofkën “Kapiten Dragan” është dënuar për krime lufte nga Gjykata e Splitit në Kroaci me 15 vjet burg. Vasilijkoviq ishte lëshuar nga burgu më 28 mars të vitit 2020.

Danilo Vuçiq është i përfshirë edhe me elementet ruse në Serbi. Në një protestë të organizuar në Beograd, organizatori i saj Damjan Knezheviq (Narodna Patrola) shihej bashkë me me Danilon. Në foto ishte edhe Milica Gjurgjeviq, udhëheqëse e Lëvizjes “Zvetnici”, e njohur si shumë proruse. /Ballkani.info/