Xhavit Haliti

Haliti: Paralajmërimi i Macron për vizat, shumë serioz, pasojat do t’i vuanin qytetarët

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Xhavit Haliti ka folur në lidhje me paralajmërimin e Macron për rishikimin e procesit të vizave.

Haliti tha se nëse diçka e tillë ndodh përgjegjësit dihet se kush janë.

Paralajmërimin e Macron, Haliti e ka cilësuar si tepër serioz dhe thekson se pasojat do t’i vuanin qytetarët e Kosovës.

“Është tepër shqetësuese për të gjithë qytetarët e Kosovës. Nëse ndodhë, përgjegjësit s’kemi nevojë ti kërkojmë, ata dihen. Por është koha që Kryeministri të veproj, përsa i përket kërkesave të partnerve tanë strategjik, që janë: zbatimi i të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel, zotimi që është bërë Ohër dhe tri kushtet e kërkuara nga BE. Nëse kjo nuk ndodhë, paralajmërimi i zotit Macron është shumë serioz, pasojat do ti vuajnë qytetarët e Kosovës” tha Haliti.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka paralajmëruar të hënën se vendi i tij do t’i rishikojë zotimet që i ka bërë për çështje ekonomike dhe politika të vizave për Kosovën dhe Serbinë, nëse ato nuk sillen me përgjegjësi.

Duke folur më 28 gusht në një fjalim vjetor para ambasadorëve francezë në Paris, Macron tha se nga Kosova dhe Serbia pritet angazhim i qartë në zgjidhjen e situatës në veri të Kosovës në mënyrë paqësore.

“Franca dhe Gjermania i kanë bërë premtimet e tyre për politikat e vizave dhe çështjet tjera ekonomike, të cilat do të rishikohen nëse të dy palët nuk sillen me përgjegjësi. Ne duhet të jemi tejet kujdesshëm në këtë drejtim, posaçërisht kur stabiliteti i Ballkanit Perëndimor është në rrezik”, tha Macron raporton Gazeta Blic.