Haliti: Para atentatit ndaj Vllasit, anëtarët e “Syrit të Popullit” kanë pasur takime me zyrtarët e VV-së

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, ka thënë se duhet të hetohen deklaratat e zyrtarëve të PDK-së për lidhjet Lëvizjes Vetëvendosje me “Syrin e Popullit”.

Haliti në RTV Dukagjini ka thënë se anëtarët e organizatës “Syri i Popullit” kanë pasur takime me Anëtarët e Kryesisë së Vetëvendosjes para atentatit ndaj Azem Vllasit në zyrën e tij.

“Nuk kam pasur fuqi t’i përgjojë apo t’i shohë me sy por edhe ata kanë dëshmuar se janë takuar”.

Ish-deputeti i PDK-së ka thënë se PDK ka bërë  deklarata për lidhjet e “Syrit të Popullit” me Vetëvendosjen duhet të merren parasysh edhe nga prokuroria dhe të del e vërteta në shesh.

Ai thotë se i njeh një pjesë të anëtarëve të “Syrit të Popullit”, përcjell Telegrafi.

“Murat Jashari ka qenë pjesë e celulës sime”.

Haliti thotë se Murat Jashari ka dërguar nga Zvicra në Shqipëri kryesisht pixhama dhe disa gjëra të tjera me kamionë.

“Në një rast e kishte nisur një kamionë me mobilie që do të vendoseshin disa persona që s’kishin ku të qëndronin dhe aty ishin edhe një automatik, një revole dhe një shigjetë”.

Ai thotë se ka qenë e lehtë të përdorej Murat Jashari.

“Murat Jashari nuk ka ditur t’i shënojë gjithë ato letra të publikuara në media. Atij ja ka shënua dikush”, tha ndër të tjera Xhavit Haliti.