Haliti: Kryetarët e komunave veriore mund të ndihmojnë në shtensionimin e situatës

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, ka thënë se katër kryetarët e komunave veriore të Kosovës mund të ndihmojnë në shtensionimin e situatës.

Sipas tij, këta kryetarë mund të ndihmojnë duke dhënë dorëheqje.

“Ne e kemi dërguar Njësinë Speciale për t’i ruajtur dy persona mos po i hanë mizat atje. Po të thotë Evropa dhe Amerika hiqi nga komunat dhe lëri në një vend tjetër le ta ushtrojnë detyrën. Unë jam që këta kryetarë të thonë vullnetarisht që janë të gatshëm të japin dorëheqjen për ta ndihmuar shtensionimin e situatës. Ata e dinë që nesër kur të mbahen zgjedhjet nuk do të zgjedhen më kryetarë”, ka thënë ai.

Sipas tij, ka mundësi që kryeministri Albin Kurti po i provokon zgjedhjet në mënyrë që t’i fitojë 2/3 e Parlamentit të Kosovës.
“Besoj që z.Kurti është e mundshme që t’i provokojë zgjedhjet. Në qoftë se ai beson që do të ketë më shumë vota se që ka marrë herën e parë, që do të ketë 2/3 e Parlamentit të Kosovës të mbuluara nga subjekti i tij, mund të pretendojë që bën çfarë të dojë. Z.Kurti nëse vazhdon kështu mund të ketë probleme edhe brenda partisë së vet”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se gjithë “politikanët e Kosovës janë përpjekur me marrë fuqinë e të qenit lider kombëtar”.

Haliti ka thënë se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është munduar maksimalisht të krijojë raporte vëllazërore me gjithë kryeministrat e Kosovës.

“Ai ka deklaruar që këta i kam miq, e Hashimin e kam vëlla. Është e drejtë e tij, kanë pasur raporte të mira, e kanë dëgjuar njëri-tjetrin, kanë bërë plane bashkë a ku e di unë pse janë dashur aq shumë. I kam thënë edhe Edit se nuk ka qenë disi më bashkëpunues me politikanët tjerë, edhepse ka pasur më tepër të meta nga ana jonë sesa e tyre. LDK-ja gjithmonë ka qenë një patericë e PD-së në Shqipëri, e ka qenë fortë e lidhur me Berishën. Ato raporte kanë ndikuar në raportet me Edi Ramën. Ramush Haradinaj ka qenë i lidhur shumë me Ilir Metën e Sali Berishën, normalisht që këto raporte ndikojnë. Ndoshta edhe kanë kërkuar diçka që s’ka mundur Rama t’u japë, apo ai ka kërkuar diçka që s’kanë mundur ata të japin”, ka thënë Haliti në “Interaktiv” të KTV-së.

Haliti ka thënë se për të gjithë shqiptarët duhet të jetë e qartë që “qendra e shqiptarëve është Tirana”.

“Kam përshtypjen, s’po e them vetëm për Albinin, por të gjithë politikanët e Kosovës, janë përpjekur disi të marrin fuqinë e të qenit lider kombëtar. Për mua, e për shqiptarët duhet të jetë e qartë, që Tirana është qendra e shqiptarëve, e nuk është diku tjetër”, tha Haliti.

Xhavit Haliti, ka konsideruar se Serbia është shkaktarja kryesore e krizës në veri, duke shtuar se ishte ajo që e futi në grackë Qeverinë e Kosovës.

Haliti është optimist se situata në veri mund të zgjidhet nëse, sipas tij, ajo çka ka thënë kryeministri Albin Kurti nuk është veç fjalë goje.

“Sot ishin edhe dy kryeministra në Kosovë, ai i Holandës dhe Luksemburgut, ishte Lajçak, por ajo që më bëri përshtypje për të mirë dhe besoj që është për të shpresuar në reflektim nga Kurti është fjalia e tij që tha se çështjeve do t’i japim zgjidhje në mënyrën evropiane. Nëse është bindur ai që duhet t’i japim zgjidhje në mënyrë evropiane, atëherë bisedimet do të jenë të frytshme dhe do të përfundojnë me zbatim të marrëveshjeve të nënshkruara. Nëse ka qenë fjalë goje, është diçka tjetër. Kjo situatë është krijuar edhe nga Serbia, dhe jo vetëm nga Kosova siç po akuzohemi. Serbia është shkaktarja kryesore, ajo e futi Qeverinë në grackë që të bëjë aventura të radhës”, ka thënë ai

Deputeti i PDK-së ka theksuar se meqë populli i Kosovës është më pro-evropiani dhe më pro-amerikani, atëherë, siç thotë Haliti, edhe politikat qeverisëse duhet të jenë të fokusuara kah orientimi perëndimor.

Haliti ka thënë se kryeministri Kurti dëshiron të hyjë në histori me variantin e vet.

“Mendon se mund të arrijë më shumë se ç’është arritur deri më tash”, ka thënë Haliti.

Me rezolutën e fundit të PDK-së për të bllokuar çdo komunikimin me Qeverinë, Haliti ka thënë se po përpiqen që t’i bëjnë presion Kurtit, që jo t’i nënshtrohet dikujt, por sipas tij, të jetë vazhdues i vendimeve që kanë marrë në të kaluarën në lidhje me Serbinë.

E ka akuzuar Kurtin, anëtarët e Qeverisë e disa deputetë të VV-së për papërgjegjësi.

“Papërgjegjësi individuale dhe kolektive është kjo sjellje. Nuk mund t’i kuptoj këtë qasje të Qeverisë dhe të ndonjë deputeti të pushtetit, që janë kaq gabim në qëndrimet e veta në raport me kërkesat e ndërkombëtarëve”, ka theksuar Haliti.