Haliti e quan “zhurmë nacionaliste” taksën ndaj Serbisë

Zyrtari i lartë i PDK-së, Xhavit Haliti, e ka vlerësuar si “zhurmë nacionaliste” taksën që Qeveria Haradinaj e kishte vendosur për mallrat nga Serbia.

I ftuar në emisionin “Desku” në KTV, ai tha se ishte kundërshtar i taksës që nga dita kur u vendos, në fund të vitit 2018.

“Sa i përket taksës, unë qysh të nesërmen jam deklaruar kundër saj, sepse Kosova nuk ka fuqi ekonomike e as politike të veprojë në kundërshtim më bashkësinë ndërkombëtare, s’mund të notojmë në anën e kundërt të rrjedhës së lumit. Më kanë sharë, por e kam ditë dhe kështu ka dal. Unë mendoj që taksa e ka bërë një zhurmë, më shumë nacionaliste se sa që ka pasur efekt, zhurmat nacionaliste kur fillojnë në politikë, gjithmonë orientimin e kanë nga diktatura, jo nga zgjidhja e problemeve”, ka thënë anëtari i Kryesisë së PDK-së.

Ish-deputeti për shumë mandate, nuk ka pranuar argumentet e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, se me vendosjen e taksës u ndal ndarja e Kosovës. Sipas tij, këto janë llafe dhe se dialogu do të vazhdojë dhe se ndarje nuk do të ketë.

“Dialogu do të vazhdojë mbi bazën e themeleve që kemi ndërtuar, si integriteti territorial, kufijtë, pavarësia, të drejtat e pakicave, zhvillimi i demokracisë e të tjera”, tha ai.

Po ashtu ka thënë se Kosova ka humbur shumë që nuk ka pranuar propozimin e kreut të PDK-së në janarin e vitit 2019 për të pezulluar taksën për 3 muaj. Sipas tij, kjo do të dëshmonte seriozitetin e palës kosovare para partnerëve të saj strategjikë.

Haliti ka folur edhe për rrëzimin e Qeverisë Kurti. Ai thotë se në strukturat e partisë ka propozuar që “është herët të ndodhë kjo për shkak të pandemisë”.

“Unë e kam dhënë mendimin tim në parti, kam menduar që është shpejt për shkak të pandemisë, por vendimi ka qenë i tillë dhe ka përfunduar kjo punë. Ndoshta qytetarët e shohin ndryshe. Gjithë jeta ime politike ka shkuar me vota, me votë pamundësohet zëri i veçantë, edhe nëse ka të drejtë”, ka thënë Haliti.