Halit Barani tregon për tmerrin e masakrës në tregun e Mitrovicës 20 vjet më parë

Sot në tregun e Mitrovicës, janë mbledhur përfaqësues të institucioneve komunale, familjarë dhe qytetarë të tjerë për të përkujtuar viktimat e masakrës që ndodhi 20 vjet më parë në këtë vend.

Më 13 Mars 1999, përderisa tregu ishte përplot me njerëz, forcat serbe kishin sulmuar qytetarët civil me minahedhës, ku si pasojë mbetën të vdekur gjashtë persona dhe u plagosën 128 të tjerë.

Për të zbuluar detajet e ngjarjes dhe gjendjen e të mbijetuarve të masakrës, Ballkani.info ka kontaktuar me aktivistin e të Drejtave të Njeriut, tashmë kryetar i KMLDNJ-së në Mitrovicë, Halit Barani.

Barani është i njohur për publikun për mbledhjen dhe dokumentimin e ngjarjeve të ndodhura gjatë luftës në Kosovë, për të cilat ai kishte dëshmuar edhe në Hagë kundër Sllobodan Millosheviqit.

Ai ka rrëfyer për ngjarjen që ndodhi 20 vjet më parë, duke përshkruar detaje të masakrës.

“Më 13 Mars të vitit 1999, në orën 14:40 minuta, ushtria kriminele qetnike serbe ka hedhur tri granata në ‘Tregun e Gjelbërt’ në Mitrovicë. Atë ditë ka qenë ditë e shtunë, pra ditë tregu në Mitrovicë dhe tregu ka qenë përplot me njerëz. Në treg ka pasur qytetarë pothuajse të të gjitha komuniteteve përveç atij serb, do të thotë se ka pasur shqiptarë, rom, ashkali, boshnjak, turq por jo edhe serb, pasi që sigurisht ata kanë qenë të lajmëruar që të mos dalin atë ditë në treg”, ka rrëfyer Barani për Ballkani.info.

Tutje, ai shpjegon gjendjen në të cilën e kishte gjetur vendin e ngjarjes pas largimit të forcave serbe.

“Nuk kam mundur të dal menjëherë në vendin e ngjarjes pasi që kam qenë i kërkuar nga forcat serbe dhe i përcjellur nga policia, por më vonë pasi janë tërhekur policia kam dalur në vendngjarje. Në sulmin e forcave serbe kanë mbetur të vdekur gjashtë persona, prej tyre: katër shqiptarë dhe një grua e komunitetit rom me fëmijën e saj, ndërsa janë plagosur mbi 128 të tjerë ku shumë prej tyre kanë humbur disa gjymtyrë të trupit, do të thotë kanë mbetur pa këmbë, pa duar, ka persona që kanë humbur njërin sy e kështu me radhë”, ka shpjeguar ai.

Barani ka thënë se sot pas 20 vjetësh, ende nuk janë zbuluar ose identifikuar saktësisht personat që kanë kryer sulmin përveçse dihet se kanë qenë të forcave serbe.

“Çfarë dihet saktësisht është se ka qenë ushtria serbe ajo që kishte hedhur granatat, por nuk dihen me emër dhe mbiemër personat. Deri më sot askush nuk është dalur para drejtësisë për rastin pasi që askush nuk ka bërë denoncim sepse nuk dihen personat që kanë kryer krimin, andaj rasti është përgjithësuar si masakër e ushtrisë kriminele qetnike serbe”.

Tutje, Barani ka treguar edhe për gjendjen shëndetësore dhe financiare të të mbijetuarëve të masakrës sot pas 20 vjetësh nga ngjarja.

Ai ka thënë se të plagosurit që i kanë mbijetuar masakrës, sipas fjalëve të tyre, deri më sot nuk janë ndihmuar nga shteti përveçse marrin një lloj ndihme prej 120 eurove pasi që janë të njohur si viktima.

“Sipas deklaratave të të plagosurve në ngjarjen që kishte ndodhur në vitin 1999, deri më sot ata nuk kanë marrë ndonjë ndihmë nga shteti përpos se janë njohur si viktima dhe marrin nga 120 euro në muaj. Shumë nga të plagosurit e kësaj masakre kanë qenë prezent edhe sot me rastin e 20 vjetorit të kësaj ngjarje, ku mbetën të plagosur mbi 128 persona që edhe sot shumë prej tyre janë invalid. Këta persona nuk kanë pranuar ndihma të veçanta, përpos një personi i cili kohë pas kohe është ndihmuar edhe nga Kuvendi Komunal në Mitrovicë pasi që kishte humbur të dy këmbët në masakrën e tregut dhe i është dashur të operohet 12 herë që nga ngjarja dhe asnjë operacion nuk kishte kaluar me sukses. Personi në fjalë është ndihmuar nga komuna me nga 200-300 euro kohë pas kohe, kurse shpenzimet e tjera të operacioneve është dashur t’i mbulojë vet”, ka përfunduar Barani.

Kujtojmë se kohë më parë, Halit Barani kishte deklaruar se ishte ndër personat e parë të cilët kishin shkuar në Prekaz kur kishin ndodhur sulmet e forcave serbe ndaj familjes Jashari.

Sipas tij, të gjitha filmimet në Prekaz i ishin marrë nga hetuesia në Hagë me premtimin se do t’i ktheheshin, gjë që nuk ndodhi kurrë. /Ballkani.info