Halimi: Kurti i ka shpallur armiq sindikalistët, po i kërcënon

Zëdhënësja politike e LDK-së, Sibel Halimi, ka kritikuar gjuhën e urrejtjes të personave të afërt me pushteti si dhe kërcënimet ndaj grevistëve për largim nga puna.

Halimi ka thënë se Kurti si duket ka përdorur klasën punëtore për të ardhë në pushtet, pasi tani, sipas saj, thuajse i ka shpallur armiq.

“Pa e përjetuar nuk do të besoni, se si politikani i vetëshpallur kinse ‘i majtë’ e ‘socialdemokrat’, si njeri ‘i afërt me klasën punëtore’ – sot si kryeministër, thuajse i ka shpallur armiq, të njëjtit sindikalistë të cilët i përkrahte hapur nga ‘llogoret’ opozitare. Me sa duket, edhe këta paskan qenë thjesht ‘mjet pune’ dhe instrument për të ardhur në kolltukun e sotëm të pushtetit.”, ka shkruar ajo.

Shkrimi i plotë i saj:

“Njeriu, për të lidhur njeriun, përdori lloj-lloj litarësh, por litari më i fortë doli të jetë litari i bukës” – ky monolog drithërues i aktores së madhe shqiptare Roza Anagnosti, më erdhi ndërmend sot, teksa lexoja gjuhën e urrejtjes së eksponentëve të afërt me pushtetin. Për ta vazhduar edhe më tej absurdin, këto kërcënime të marra në rrjete sociale, për përjashtime masive nga puna të sindikalistëve grevistë – pushteti po i shqyrton seriozisht për t’i bërë politika shtetërore.

Pa e përjetuar nuk do të besoni, se si politikani i vetëshpallur kinse ‘i majtë’ e ‘socialdemokrat’, si njeri ‘i afërt me klasën punëtore’ – sot si kryeministër, thuajse i ka shpallur armiq, të njëjtit sindikalistë të cilët i përkrahte hapur nga ‘llogoret’ opozitare. Me sa duket, edhe këta paskan qenë thjesht ‘mjet pune’ dhe instrument për të ardhur në kolltukun e sotëm të pushtetit. Po i kërcënon pa i pranuar madje si palë dialoguese, duke ua hedhur poshtë çdo shqetësim.

Si dikush që ka hyrë në politikë nga fusha e shkencave humane; kjo gjuhë, kjo mendësi, për mua është tërësisht e papranueshme. Sindikalistët janë qytetarët e këtij vendi, ndaj si të tillë duhen trajtuar, duke diskutuar nga afër me ta, kërkesat dhe shqetësimet që i ngrisin, në emër të anëtarësisë së sindikatave që përfaqësojnë. Askush nuk thotë se duhet plotësuar çdo kërkesë që nuk e lejojnë mundësitë; por jam për njerëzoren e pashkëputur nga politika!