Halimi: Guri Nanës Pashkë duhet të merret në mbrojtje nga institucionet e shtetit

Zëdhënësja politike e LDK-së, Sibel Halimi, ka reaguar për largimin e gurit që ishte vendosur për ndër të Nanës Pashkë, e cila kishte djegur vetën pasi forcat serbe kishin vrarë dy djemët e saj.

Halimi ka thënë se guri është dashur që të merret në mbrojtjen e institucioneve të shtetit.

“Kjo trashëgimi trishtimi e përqendruar në një gur, është përmendore kujtese dhe duhet të merret në mbrojtje nga institucionet e shtetit, Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës në Kosovë apo kushdo që i intereson kujtesa kolektive, qoftë me mirëkuptimin e pronarit të atij trualli, qoftë duke e shpallë zonë të interesit publik.” – ka shkruar ajo në Facebook.

Më tej, ajo ka thënë se: “Ai gur duhet rikthyer aty ku peshon sa dhembja e grave të te gjithë shekujve!”.

Reagimi i plotë i saj:

Është prekur murana e një nane shqiptare, që është shndërruar në ikonë dhe në vet thelbin e tragjikes së luftës së Kosovës.

Nana Pashkë, e vetëflijuar duke e ndez veten, pasi merr vesh se makineria ushtarake-policore e fashizmit të Milosheviqit ia kishte vrarë dy djemtë, është secila nga ne, në perin e hollë të tragjizmit që di të sjellë jeta.

Guri, i cili personifikonte dhembjen e një gruaje, u hoq lehtësisht nga pronari i tokës!?

Një gur i rëndë sa dhembja e një nëne, kur merr kumtin për vrasjen e bijve, është kuptimi i vërtetë i historisë fatkeqe që përjetuan shqiptarët në fundshekullin XX.

Kjo trashëgimi trishtimi e përqendruar në një gur, është përmendore kujtese dhe duhet të merret në mbrojtje nga institucionet e shtetit, Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës në Kosovë apo kushdo që i intereson kujtesa kolektive, qoftë me mirëkuptimin e pronarit të atij trualli, qoftë duke e shpallë zonë të interesit publik.

Nuk duhet lejuar të lëkundet ai gur – sepse me këtë akt lëkundet dhembja që e përjetuan gratë e bashkë me të edhe historia e sakrificës së grave gjatë luftës.

Ai gur duhet rikthyer aty ku peshon sa dhembja e grave të te gjithë shekujve!