Albin Kurti

Halimi: Derisa kryeministri ligjëron për liderin vetëflijues, 24 minatorë gjenden në emergjencë

Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për mosreagim ndaj grevës së minatorëve të Trepçës.

Halimi ka thënë se derisa kryeministri ligjëron për lidershipin dhe liderin vetëflijues, 24 minatorë gjenden në emergjencë.

“Në gjendje të rënduar shëndetësore dhe ky lider në realitet nuk po shfaqet në horizont”, ka shkruar ajo në Facebook.

Tutje Halimi ka thënë se minatorët janë në grevë tash e pesë ditë, “të braktisur e të përbuzur nga institucionet shtetërore”.

“Kërkesat për mirëqenie e dinjitet gjithmonë dhe gjithkund janë të drejta!”, ka përfunduar ajo.

Halimi i është referuar deklaratave të kryeministrit të bëra të shtunën në konferencën me temë “Lidershipi në kohë sfiduese”, të organizuar nga kolegji UBT.

Kurti para të pranishmëve ka folur për cilësitë fundamentale që e definojnë një “lider të mirë dhe të madh”.

Dy cilësitë kryesore të një lideri të mirë, sipas kryeministrit, janë efektiviteti pragmatik për të tërhequr dhe mirëmbajtur ndjekës ose mbështetës dhe përkushtimi parimor ndaj një kauze të drejtë, sepse siç ka thënë ai, pragmatizmi pa parime është bosh, kurse parimi pa pragmatizëm është i pafrytshëm.