Haki Rugova nuk lajmërohet në Gjykatë, thotë se është infektuar me COVID-19

Ka dështuar për herë të tretë seanca ndaj kryetarit të Komunës së Istogut, Haki Rugova, i cili akuzohet për konflikt interesi.

Rugova ka deklaruar se arsyeja e mospjesëmarrjes në seancë është infektimi me koronavirus.

“Jam në shtëpi sepse jam me COVID. Qe shtatë ditë jam infektuar, në 3-4 ditët e para gjendjen e kam pasur më të rëndë, tani jam duke u përmirësuar”, ka deklaruar Rugova..

Ndryshe, dy seancat e fundit ndaj Haki Rugovës kishin dështuar. Njëra që ishte caktuar më 22 janar të këtij viti kishte dështuar për shkak të  mungesës së prokurorit të çështjes, Ali Uka, të pandehurit Haki Rugova dhe mbrojtësit të tij, avokatit Besnik Berisha.

Edhe seanca tjetër e cila ishte caktuar të mbahej me datën 26 shkurt kishte dështuar. Deri të dështimi i kësaj seance  erdhi pasi mbrojtësi zëvendësues i pandehurit Rugova, avokati Gëzim Kollqaku, i cili ishte autorizuar nga avokati Besnik Berisha për përfaqësim, tha se nuk ishte i përgatitur të merrte në pyetje dëshmitarët dhe se kishte autorizim nga avokati Besnik Berisha, të jepte vetëm fjalën hyrëse.

Haki Rugova akuzohet për konflikt të interesit, lidhur me një tender në vlerë prej rreth 300 mijë euro, të cilin sipas prokurorisë, e ka fituar kompania që udhëhiqet nga vëllai i tij, Gani Rugova.

Rugova duke vepruar si kryetar i Komunës së Istogut, më 1 gusht 2014, sipas aktakuzës, ka nënshkruar kontratë me kompaninë e vëllait të tij, “Ma-Con” sh.p.k. për ndërtimin e kanalizimit për fshatrat Cercë dhe Lubozhdë.

Ky rast penal është kthyer në pikën zero, për arsye se është pensionuar ish kryetari i trupit gjykues, Sylë Lokaj, ndërsa ky rast po gjykohet nga kryetari Sami Sharraxhiu.