Haki Rugova: “Nuk e njoh personin e dyshuar”

Haki Rugova, kryetar i Istogut, ka treguar se si një i panjohur u fut i armatosur në zyrën e tij në objektin e Komunës.

“Nuk ka pasur asnjë konflikt mes nesh, personi i caktuar ka hyrë në zyre timen të kryetarit të komunës me armë në dorë. Ai nuk ka kërkuar kurrgjë, ka qenë në gjendje jostabile dhe ka ardh me armë në dorë. Kur vjen një person me armë në dorë, çka kërkon? Kurrgjë tjetër pos me pas probleme, është mirë që ka përfunduar ajo qysh ka përfunduar, kjo është e gjitha”, tha Rugova për Kallxo.com.

Ai shtoi se me personin e dyshuar nuk është takuar asnjëherë.

“Nuk e njoh personin e dyshuar, nuk kam pasur asnjëherë kontakt me të. Duhet të trajtohet ky rast pasi që ka ndodh në zyret e kryetarit. Jam i lumtur që nuk ka ndodh kurrgjë ma shumë. Zyret i kam të hapura gjatë gjithë kohës, komuna është e qytetarëve, por njerëzit e armatosur që vijnë dhe sulmojnë personelin është e patolerueshme”, shtoi ai.

Rugova kërkoi nga organet e sigurisë që të merren seriozisht me rastin e kanosjes.

“Organet e policisë duhet me u marrë seriozisht me këtë punë që unë mos të kërkoj mbrojtje”, tha në fund të bisedës Rugova.

Kujtojmë se sot policia në raportin 24 orësh njoftoi se një person është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje pasi ka kanosur me armë Kryetarin e Komunës së Istogut, Haki Rugovën.

Nga i dyshuari është konfiskuar arma-revole e llojit “Si Sauer”, me një karikator, 9 fishekë kalibrit 9 mm, si dhe në vendin e ngjarjes janë gjetur pesë gëzhoja.