Haki Abazi flet për problemet brenda grupit parlamentar, ‘e godet fort’ Kusari-Lilën

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi ka komentuar ne lidhje me zhvillimet e fundit politike në vend dhe veçanërisht në subjektin që i takon.

Abazi ka thënë se shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila i ka pamundësuar në disa raste atij fjalën në Kuvend.

“Kemi diskutuar në grupin parlamentar për marrëveshjet e dëmshme në të kaluarën që lidhen me energjinë elektrike. Marrëveshjet që janë bërë për blerjen e energjisë në të kaluarën duhet të dalin në shesh. Pas debatit në momentet e fundit Kusari-Lila e ka eskivuar debatin dhe më ka subordinu dhe ma ka bërë të pamundur pjesëmarrjen në seancën e Kuvendit”, ka thënë Abazi në RTV Dukagjini.

Ai thotë se ka një skenar në LVV që flasin vetëm 2-3 deputetë.

“Ju e shihni se sa njerëz flasin rregullisht nga GP i LVV-së, 2-3. Ekziston skenari i folësve, por skenari duhet të jetë rezultat i debatit të mëhershëm që bëhet brenda GP. E jo njerëzit që nuk janë të përgatitur me temat, e jo në linjë me shefen e GP”.

Ai thotë se ka shumë deputetë që kanë mjaft për të thënë por që në njëfarë forme iu pamundësohet fjala.

“Nëse LVV e ka fituar mandatin e dytë me premtimin për ndryshim, atëherë kryetarja e Grupit Parlamentar të LVV, përfaqëson më së paku ndryshimin. Ajo më së shumti përfaqëson vazhdimin. Për këtë arsye unë nuk e kam votuar”.

Abazi thotë se Kusari-Lila ka qenë në prapaskenë për të lënë atë jashtë Komisionit për Energji.