Një grup hakerësh iranianë janë hakuar nga një grup rus, të cilët i kanë përdorur të dhënat e “kolegëve” që t’i spiunojnë disa shtete. Lajmin e bënë të ditur agjencitë britanike dhe amerikane të inteligjencës.
Grupi i hakerëve rusë, i njohur me emrin “Turla”, ka arritur të ndërhyjë në operacionet e hakimit të grupit të hakerëve iranianë, të njohur si “OilRig”. Kështu, rusët e shfrytëzuan grupin iranian që t’i vënë në shënjestër viktimat tjera.
Ky rast u zbulua nga hetimet e bëra prej Qendrës Kombëtare për Siguri Kibernetike në Britani të Madhe, e cila në vitin 2017 u mor me hetimin e një sulmi në një institucion akademik në Mbretërinë e Bashkuar.
Kjo qendër zbuloi se sulmi në këtë institucion është kryer nga grupi rus “Turla”, i cili i ka përdorur kapacitetet dhe mjetet e grupit iranian të hakerëve.
Besohet se rusët kanë kryer sulme kibernetike ndaj 35 shteteve të ndryshme përmes këtij sistemi. Shumica e sulmeve janë kryer në Lindje të Mesme. Së paku 20 prej këtyre sulmeve raportohet se janë realizuar me sukses.
Hakerët kishin për qëllim të vidhnin të dhëna sekrete, përfshirë marrjen e informacioneve nga faqet qeveritare, shkruan “BBC”.







