Hakerët përdorin hartat e gjurmimit të koronavirusit për të infektuar përdoruesit me maluerë

Të gjendur përballë një ankthi dhe frike rreth koronavirusit, njerëzit janë vazhdimisht në kërkim të informacionit rreth tij dhe kjo po shfrytëzohet nga hakerët të cilët po qarkullojnë disa uebsajte që tregojnë harta për përhapjen e virusit por realisht infektojnë kompjuterët e përdoruesve me maluerë kur hapen.

Njerëzit janë turrur drejt uebsajteve të mirëmbajtura nga mediat dhe autoritetet shëndetësore për të gjurmuar virusin.

Sipas firmës së sigurisë kibernetike hakerët po krijojnë sajte të cilat sillen si harta të COVID-19 dhe që shpërndajnë maluerë. Këto uebsajte i shpërndajnë ose përmes medias sociale ose përmes e-mail-eve.

Kur hapen, përdoruesit drejtohen tek një aplikacion i cili shkarkon një maluerë të quajtur AZORult që vjedh kredenciale dhe informacione bankare. Kjo teknikë është e zakonshme dhe pritet rritja e sulmeve të tilla në ditët në vijim.

Për të shmangur maluerin, njerëzit këshillohen të përdorin harta të verifikuara ose të kontrollojnë url përpara se të hapin një uebsajt.