Hajrulla Çeku aderon në VV

Hajrulla Çeku ka aderuar zyrtarisht në Lëvizjen Vetëvendosje.

Albin Kurti, kryetar i Vetëvendosjes, ka thënë se me dijen dhe përvojën e ish-zëvendësministrit të Turizmit dhe Mjedisit në Shqipëri, “jemi edhe më të sigurt, edhe më të fuqishëm”.

Duke e prezantuar Çekun, në një postim në Facebook, Kurti ka shkruar se ai ka studiuar Shkencë Politike në Universitetin e Prishtinës dhe ka magjistruar në Qeverisje dhe Zhvillim Lokal në Universitetin e Trentos, Itali, dhe Universitetin e Regensburgut, Gjermani.

“Njihemi kaherë por tash do të punojmë bashkë në Lëvizje. Sot isha në Prizren ku na gëzoi e nderoi me anëtarësimin e tij në Vetëvendosje. Për 15 vjet ka qenë pjesë e shoqërisë civile i angazhuar në çështje të trashëgimisë kulturore, turizmit, planifikimit urban dhe mjedisit. Hajrullau ka qenë i përfshirë në shumë nisma qytetare për mbrojtjen e strukturës urbane të qyteteve të Kosovës, si në Prishtinë, Prizren, Pejë, Mitrovicë, Vushtrri dhe të tjera. Qasja komunitare dhe fuqizimi i grupeve të pambrojtura dhe pa zë kanë qenë shtylla të veprimtarisë së tij”, ka shkruar Kurti.

Kurti ka treguar po ashtu se Çeku ka përfunduar disa programe ndërkombëtare të aftësimit në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, të drejtat e njeriut, menaxhimin e turizmit, shkathtësitë e lidershipit në Shtetet e Bashkuara të Bashkuara, Maltë, Gjermani dhe Francë. “Ka qenë pjesë e projekteve hulumtuese dhe ka publikuar gjerësisht mbi qeverisjen dhe zhvillimin lokal, menaxhimin e trashëgimisë kulturore, planifikimin urban, aktivizmin dhe zhvillimin e shoqërisë civile. Rishtazi ka shërbyer edhe në qeverinë e Shqipërisë në cilësinë e zëvendës ministrit të turizmit dhe mjedisit”, ka shtuar ai.

“Me dijen e përvojën, kulturën e ndershmërinë e Hajrullaut jemi edhe më të sigurt, edhe më të fuqishëm. Më afër se kurrë, shpejt si asnjëherë, 6 tetorit 2019, kur zgjedhja dhe festa bëhen bashkë me emrin e Lëvizjes sonë, e me të ardhmen e vendit tonë”, ka përfunduar lideri i VV-së.

loading…