Hajrizi: Gjykata Kushtetuese do të mbetet gjithmonë në krye të detyrës

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka shënuar sonte jubileun e dhjetë të Vitit Gjyqësor me një ceremoni solemne, nga ku u tha se kjo gjykatë do të mbetet gjithmonë në krye të detyrës dhe e gatshme të jetësojë juridiksionin e saj.

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama-Hajrizi, ka folur për sfidat që kanë pasur qysh nga fillimi i punës e deri te shënimi i 10-vjetorit.

Ajo tha se Kushtetuesja do të vazhdojë të mbetet garantues i mbrojtjes së kushtetutshmërisë dhe vlerave themelore të mishëruara në aktin më të lartë juridik të vendit, me integritet profesional dhe pavarësi të plotë vendimmarrëse.

Hajrizi tha se janë një sërë gjykimesh të rëndësishme të Gjykatës Kushtetuese, që sipas saj, dëshmojnë për rolin kyç që ajo ka luajtur në përforcimin e parimit të sundimit të ligjit dhe në zhvillimin e demokracisë gjatë dekadës së fundit.

Në shënimin e 10-vjetorit të Gjykatës Kushtetuese mori pjesë edhe Përfaqësuesja e Republikës së Irlandës në Komisionin e Venecias Grainne McMorrow, e cila tha se ky komision ka hedhur poshtë konceptet e vjetra rreth sundimit të ligjit.

McMorrow u shpreh se definimi i sundimit të ligjit ka qenë një brengë ndërkombëtare dhe për këtë ajo tha se Komisioni i Venecias mendon që të bëjë një listë kontrolluese që shpjegon sundimin e ligjit në mënyrë më të saktë dhe më praktike.

Ndërsa, ish-gjyqtarja ndërkombëtare e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Snezhana Botusharova, ka përmendur disa nga vështirësitë që kanë hasur në fillimin e punës, por që pas 10 vjetësh ajo tha se Kosova duhet të jetë krenare me Gjykatën Kushtetuese të saj.

loading…