Hajredini: Pas 10 vjetësh nuk do të ketë shqiptarë në Luginë

Dhjetë vjet më parë, më 20 janar të vitit 2013, xhandarmëria serbe largoi dhunshëm lapidarin e dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit (UÇPMB) nga oborri i Komunës së Preshevës.

Nazmi Hajredini, kryetar i UÇPMB-së, në lidhje direkte për “Info Magazine” në Klan Kosova, thotë se edhe pas dhjetë vjetësh nuk dihet se ku ndodhet lapidari i 28 dëshmorëve.

Ai supozon se sipas disa informatave “të pasakta”, ai ndodhet në burgun e Nishit.

“Siç po e shihni edhe vet, ne çdo vit kujtojmë këtë ngjarje barbare të ushtruar nga xhandarmëria serbe, përkundër mungesës së ngritjes së zërit të politikanëve tanë, liderëve të partive, nënkryetarëve, deputetëve, Këshillit Nacional, për ta kthyer ose së paku ditur vendndodhjen e lapidarit”, tha Hajredini.

Ai shton se UÇPMB-ja, të cilën Serbia e konsideron ilegale, vazhdon çdo vit të apelojë te autoritetet shqiptare me ndikim që të ngrenë zërin për këtë çështje.

“Ne jemi organizatë, mos të them gjysmë-ilegale, por Serbia na konsideron ilegale, që çdo vit apelojmë te autoritetet vendore politike që ta ngrenë zërin për këtë çështje, por kjo nuk ndodhë. Nuk do ta fyejmë askënd, por si deputeti, si kryetari i Këshillit Nacional apo kryetarët e komunave, asnjëherë, them me plot gojë, nuk e kanë ngritur zërin të protestojnë ose kërkojnë që ai lapidar të kthehet”, shprehet kryetari i UÇPMB-së.

Por, në pyetjen nëse ka vërejtur ose ka përçarje midis politikanëve shqiptarë në Luginë, ai me keqardhje pranon që ka.

“Është për keqardhje që autoritetet shqiptare të Luginës nuk kanë unitet. Edhe pse deri sot Këshilli Nacional nuk ka sjellë asgjë në dobi ndaj shqiptarëve në Kosovën Lindore, ata së bashku duhet të jenë unikë në zgjedhjen e një personi që punon dhe vepron në interes të shqiptarëve të Kosovës Lindore. Por, kjo nuk po ndodhë. Në vend të kësaj, në kohën e zgjedhjeve komunale, parlamentare dhe të Këshillit Nacional, gjithmonë ka fyerje, sharje, kërcënime dhe është një mjerim. Në vend se të protestojnë dhe bojkotojnë këto institucione, ata merren me përçarje dhe kjo nuk na shërben neve, por vetëm armikut”, thotë Hajredini.

Mirëpo, në fund ai apelon te institucionet e Prishtinës dhe Tiranës për reagim të shpejtë për situatën në Luginë, meqenëse sipas tij, “pas 10 vjetësh nuk do të ketë shqiptarë në Luginë”.

“Apeloj te institucionet në Prishtinë dhe Tiranë që ta kenë parasysh situatën në Luginë, se këtu nuk do të ketë shqiptarë pas 10 vjetësh. Ky është një fakt që shihet larg nga planprogramet e Serbisë, e cila nuk është në gjendje të sigurojë të drejtat e shqiptarëve në këtë vend”, përfundon Hajredini.