Hajdar Sutaj është rizgjedhur Kryesues i Kuvendit të Komunës së Deçanit për mandatin e ardhshëm katërvjeçar. Vendimi është marrë sot në Kuvendin Komunal, ku Sutaj ka marrë shumicën e votave të asamblistëve.
Me këtë rast, Sutaj ka falënderuar qytetarët e Deçanit për besimin e dhënë në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, si dhe strukturat dhe aktivistët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për angazhimin dhe mbështetjen e vazhdueshme.
Ai ka falënderuar gjithashtu Kryetarin e Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, si dhe asamblistët e AAK-së për propozimin dhe përkrahjen e tij në procesin e rizgjedhjes.
“Angazhimi im do të jetë që vendimmarrja të jetë e drejtë, profesionale dhe në shërbim të zhvillimit të komunës dhe përmirësimit të jetës së qytetarëve”, ka deklaruar Sutaj, duke premtuar transparencë dhe bashkëpunim me të gjitha grupet politike në Kuvend.
Ai theksoi se Kuvendi Komunal duhet të jetë institucion bashkimi dhe jo përçarjeje, duke shtuar se interesi qytetar dhe institucional do të jetë gjithmonë mbi çdo interes tjetër.
Sutaj ka bërë të ditur se me fillimin e këtij mandati nis një etapë e re për institucionet komunale në Deçan, ku fokusi do të jetë në maturi, unitet dhe bashkëpunim, me qëllim përmirësimin e jetës së qytetarëve, veçanërisht të brezave të rinj.







