Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Hajdar Beqa, ka kritikuar qeverisjen e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke e akuzuar për polarizim dhe mungesë të rezultateve konkrete gjatë viteve të fundit.
Përmes një postimi publik, Beqa ka thënë se Kurti, edhe pas gjashtë vitesh në pushtet, vazhdon vetëm me ankesa dhe retorikë përçarëse.
“Albin Kurti qeverisi për gjashtë vite dhe ende vetëm ankesa e polarizim”, ka shkruar ai.
Në të njëjtin reagim, Beqa ka përmendur edhe ish-presidentin Hashim Thaçi, për të cilin tha se edhe nga Haga vazhdon të flasë për Kosovën me shpresë, besim dhe dashuri.
“Ndërsa Presidenti Thaçi, edhe nga Haga, vazhdon të flasë për Kosovën me shpresë, besim dhe dashuri. Ne nuk kemi reshtur kurrë së besuari në Kosovë”, u shpreh Beqa.
Ai shtoi se pret ditën kur Thaçi do t’u rikthehet qytetarëve që, sipas tij, e kanë mbështetur vazhdimisht.
“Dhe presim ditën kur Presidenti do t’i rikthehet qytetarëve që e kanë mbështetur gjithmonë”, ka deklaruar kandidati i PDK-së.
Në fund të postimit, Beqa bëri thirrje për ndryshim politik në vend me mesazhin: “Stop Krizës. Ndrysho Kosovën!”
Hajdar Beqa garon në zgjedhje si kandidat për deputet nga PDK-ja me numrin 28.







