Hahn: E vështirë t’i motivojmë liderët e Prishtinës dhe Beogradit t’i kthehen dialogut

Komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi të Mirë i BE-së, Johannes Hahn në një konferencë për media sot në Luksemburg ka folur për mundësinë e vazhdimit të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Hahn ka thënë se i ka shtyrë për në korrik përpjekjet e tij për rifillimin e dialogut mes dy vendeve, transmeton Ballkani.info.

Siç ka thënë ai, është një kohë e vështirë dhe nuk do të jetë e lehtë po ashtu që Prishtina dhe Beogradi t’i rikthehen tavolinës së diskutimeve.

“Nuk është një detyrë e lehtë, dhe të duhet shumë kurajo për të punuar drejt një kompromisi. Ne duhet të dijmë se cilat janë pasojat pozitive, dhe pasojat pozitive janë perspektiva evropiane”, ka thënë Hahn në Luksemburg.

Kujtojmë se tash e një kohë dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit ka hyrë një një fazë të bllokimit pas vendosjes së taksës ndaj produkteve serbe dhe boshnjake nga Qeveria e Kosovës.

Samiti i Parisit nga shumëkush është parë si mundësi ideale e hartimit të një kornizë-marrëveshje mes dy vendeve, pas të cilës kryeministri Haradinaj ishte shprehur i gatshëm ta kthente prapa vendimin për taksën. /Ballkani.info