Hahn dhe Mogherini: Kosova dhe Serbia t’i kthehen dialogut

Kosova dhe Serbia duhet t’i kthehen dialogut në të kundërtën, ka rrezik të kthimit të forcave të errëta të së kaluarës dhe të konfrontimit.

Në këtë drejtim, Kosova duhet të heq tarifën 100 përqind ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, ndërsa Serbia duhet të krijojë ambient më të përshtatshëm për vazhdimin e dialogut.

Kështu kanë deklaruar zyrtarët e lartë të BE-së për politikë të Jashtme, Federica Mogherini dhe komisioneri Johanes Hahn.

Duke komentuar ngjarjet e djeshme në veri të vendit, Mogherini tha se pikërisht ky rast tregon për nevojën që Kosova dhe Serbia t’i kthehen dialogut.

Në rast se ndihma e BE-së nuk përdoret në një mënyrë të mençur sot, ka rrezik edhe të një konflikti mes dy vendeve.

Ajo përsëriti edhe njëherë thirrjen për heqjen e taksës ndaj Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës, për çka u shpreh se është optimiste që vullneti për vazhdimin e bisedimeve nuk do të mungojë.

Edhe komisionari i BE-së për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johaness Hahn, u shpreh se Kosova dhe Serbia duhet të tregojnë gatishmëri për vazhdimin e dialogut.

Komisioneri Hahn la të nënkuptohet se beson që Kosova dhe Serbia mund të shënojnë progres në marrëdhëniet bilaterale, ku për këtë bëri të ditur se në qershor do të bëjë edhe një përpjekje në shtyrjen e kësaj çështje para.

Pas kësaj, Hahn sqaroi se ka përmendur presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq për deklaratat e tij dhënë para disa ditëve, e jo ato pas ngjarjeve të djeshme, ku kishte treguar gatishmëri për ndërhyrje në Kosovë.