Guterres

Guterres kërkon nga BE-ja t’i evitojë standardet e dyfishta për Ukrainën dhe Gazën

Liderëve të Bashkimit Evropian u është kërkuar të enjten që të tregojnë të njëjtin respekt për ligjin ndërkombëtar sa i përket Gazës, ashtu siç bëjnë kur bëhet fjalë për Ukrainën, derisa qindra e mijëra palestinezë përballen me mungesë ushqimi dhe uri.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres ka kërkuar nga liderët që të jenë të fortë dhe të bashkuar, në respektimin e këtyre standardeve të sanksionuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe ligjin ndërkombëtar, raportoi AP.

“Parimi kryesor i ligjit ndërkombëtar humanitar është mbrojtja e civilëve. Ne duhet t’i mbajmë këto parime si në Ukrainë si në Gaza, pa standarde të dyfishta”, u ka thënë Guterres gazetarëve, gjatë një fjalimi bashkë me presidentin e Këshillit të BE-së, Charles Michel.

Agjencia e OKB-së për ushqimin ka paralajmëruar se “uria është e pashmangshme” në veri të Gazës. Izraeli ndërkohë, shfaqet i vendosur që të zhvillojë ofensivë tokësore në jug të Rafahut, ku shumë njerëz kanë kërkuar strehim duke ikur nga luftimet.

Të 27 vendet e BE-së kanë qenë për shumë kohë të ndara sa i përket afrimit t╡ tyre ndaj Izraelit dhe palestinezëve dhe po ashtu lidhur me sulmin e Hamasit në Izraelin jugor më 7 tetor. Mirëpo, derisa numri i të vdekurve në Gaza ka arritur në afro 32 mijë, shumë shtete po kërkojnë armëpushim të menjëhershëm atje.

VIDEO BONUS: