OVL-UÇK-së

Gucati e Haradinaj kundër njëri-tjetrit në garën për kryetar të veteranëve

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK’së (OVL-UÇK), pritet të mbajë zgjedhjet për kryetar. Kandidaturat për kreun e OVL-UÇK’së i kanë prezantuar Nasim Haradinaj, Hysni Gucati dhe Kapllan Parduzi.

Një gjë të tillë e kanë bërë të ditur vetë OVL-UÇK’ja, duke thënë se Këshilli Drejtues i kësaj organizate miratoi rregulloren për mbajtjen e zgjedhjeve, shkruan Gazeta Insajderi.

Pra, për kreun e OVL-UÇK’së do të ekzistojë një garë ndërmjet Haradinajt dhe Gucatit.

“Në mbledhjen e Këshillit Drejtues të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të mbajtur më 12 mars 2024, u miratua rregullorja për mbajtjen e zgjedhjeve brenda Organizatës. Në këtë mbledhje, u shpallën edhe tri kandidatura për kryetar të Organizatës: 1. Kapllan Parduzi (Korabi) 2. Nasim Haradinaj 3. Hysni Gucati”, thuhet në njoftimin e tyre.

Deri më tani, OVL-UÇK’ja ka funksionuar me ushtrues detyre të kryetarit. Atë pozitë që nga momenti i arrestimit të Gucatit nga trupat e EULEX-it e ka bartur Faton Klinaku.

Gucati dhe Haradinaj u liruan pas vuajtjes së dënimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë. Që të dy u dënuan më 2022-ën për ndërhyrje në administrim të drejtësisë me nga 4 vite e gjysmë.

Ata ishin arrestuar në shtator të 2020-ës dhe u mbanë në Hagë që nga ajo periudhë, deri në lirimin e tyre.