Gucati: Do ta bindim opinionin publik se Gjykata Speciale bashkëpunon me Serbinë

Sërish brenda 4 ditësh, në Organizatën e Veteranëve të UÇK’së, një person i panjohur ka lënë dosje të ndryshme që pretendohet se janë të Gjykatës Speciale. Drejtues të veteranëve, deklaruan se rreth orës 11:00, personi i panjohur ka lënë dokumente, që pretendohet se janë dosje që përmbajnë aktakuza të përgatitura ndaj krerëve më të lartë të UÇK’së, të cilët janë aktualisht edhe drejtues të shtetit.

Bëhet fjalë për dosje të presidentit Hashim Thaçi, kryetarit të PDK’së Kadri Veseli dhe ish-krerëve drejtuese të UÇK’së, Azem Syla, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Xhavit Haliti etj.

Në një intervistë për Euroneës Albania, Hysni Gucati, kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës foli rreth faktit se këto dosje përmbajnë informacione reale të kopjuara dhe të dala nga Gjykata Speciale.

Ai tha se, referuar informacionit që gjendet në ato dosje duhet të jetë duke u përgatitur një aktakuzë ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Pyetur nëse ka ndonjë ide se përse këto dosje po mbërrijnë vazhdimisht në zyrat e tyre ai shprehet i paqartë por thekson se fakti që Organizata e Veteranëve të Luftës të UÇK është kundër Gjykatës Speciale mund të jetë një faktor që ndikon.

“Ne nuk jemi kundër drejtësisë por jemi kundër drejtësisë selektive dhe me siguri për këtë arsye këto dosje ne na vijnë në Organizatën e Veteranëve sepse ne jemi kundër kësaj Gjykate”, tha z. Gucati.

Ai shprehu dëshirën e tij që kjo Gjykatë të mbyllet sa më parë e të ndalojë njëkohësisht dhe veprimtarinë kundër ushtarëve të UÇK.

Hysni Gucati tha se Gjykata ka kontaktuar me ta për të kërkuar dosjet mbrapsht dhe sqaroi se në të gjitha rastet dosjet janë kthyer.

Referuar paralajmërimit që ky person anonim ka bërë për sjelljen gjithashtu edhe të CD’ve me pamje Gucati tha se do të veprojnë po njësoj me to duke informuar së pari gjithë opinionin publik e duke treguar se Gjykata Speciale është bashkëpunëtore me Gjykatën Serbe.