Guardiola tregon se Ederson do të mungojë në derbin kundër Liverpoolit

Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, e ka konfirmuar se Ederson do të mungojë për përballjen e madhe të Premierligës kundër Liverpoolit në Anfield, të dielën, shkaku i një lëndimi.

Top dy klubet e Premierligës do të takohen për herë të parë këtë sezon këtë fundjavë, me gjashtë pikë që i ndajnë ata mes vete në tabelën e Premierligës.

Liverpooli e ka fituar një epërsi të mirë ndaj Manchester Cityt në fillim të këtij sezoni, duke i fituar dhjetë nga 11 ndeshjet e tyre të para, mirëpo skuadra e Pep Guardiola mund ta vë sërish në zjarr garën për titull me fitore në Liverpool këtë fundjavë.

Megjithatë, Guardiola e ka marrë një goditje të madhe para kësaj ndeshjeve, pasi që portieri Ederson do ta ketë të pamundur të luajë në këtë përballje, shkaku i lëndimit që e mori në mesjavë në Ligën e Kampionëve.

Braziliani u detyrua ta lë në gjysmë ndeshjen e barazuar 1-1 të Manchester Cityt kundër Atalantas të mërkurën, ndërsa Claudio Bravo u inkuadrua në lojë si zëvendësues i tij.

Guardiola njoftoi për gjendjen e Edersonit në një konferencë për shtyp të premten, mirëpo ai insistoi se Bravo është më se i aftë ta përmbushë hapësirën e lënë bosh nga Edersoni në skuadër.

“Edersoni nuk ka mundësi të luajë. Nuk e di se për sa kohë do të jetë ai jashtë skuadrës. Të dielën s’mund të luajë”, tha trajneri spanjoll i Manchester Cityt.

“Ne e kemi edhe një tjetër portier të nivelit më të lartë. Claudio Bravo mund të na kryejë punë gjithashtu. Ne e fituam Carabao Cup falë Claudios. Ai është një portier i mrekullueshëm”.

loading…