Gazeta britanike

Guardian: Serbia po e shqyrton ndërhyrjen e armatosur në Kosovë

Sipas gazetës së njohur britanike, “The Guardian”, Serbia është duke e shqyrtuar ndërhyrjen e mundshme ushtarake në Kosovë, pasi Kuvendi i Kosovës e miratoi njëzëri formimin e ushtrisë. Beogradi e ka quajtur këtë veprim si kërcënimin më të drejtpërdrejtë për paqen dhe stabilitetin e rajonit, ndërsa shefi i NATO-s ka thënë se formimi i ushtrisë nuk po bëhet në kohën e duhur.

Votimi i ushtrisë u bë me 107 vota për dhe asnjë kundër. Pjesë e votimit ishin tri ligje. Në to parashihet edhe rritja e numrit të pjesëtarëve, themelimi i Ministrisë së Mbrojtjes dhe ndryshimi i detyrave dhe misionit të Forcave të Armatosura. Të vetmit që e kanë bojkotuar votimin kanë qenë deputetët e pakicës serbe.

Sipas gazetës së njohur britanike, Serbia këmbëngul se ushtria e re e shkel rezolutën e Kombeve të Bashkuara e cila e shënoi fundin e luftës në Kosovë. Ajo ka kërcënuar se mund të ndërhyjë ushtarakisht në ish-provincën e saj. Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, tha se ndërhyrja e armatosur është njëra nga opcionet që i kanë mbi tavolinë.

Për më tepër, njëri nga këshilltarët e presidentit serb, Nikola Selakoviç, tha se Serbia mund të dërgojë trupa të armatosura në Kosovë ose ta shpallë Kosovën territor të pushtuar. Në anën tjetër, ministri i jashtëm, Ivica Daçiq, ka deklaruar se Serbia do të kërkojë mbledhje urgjente në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Sidoqoftë, gazeta e thekson faktin se një ndërhyrje e mundshme ushtarake e Serbisë në Kosovë do të nënkuptonte përballje të drejtpërdrejtë me mijëra ushtarë të NATO-s, përfshirë ushtarët e SHBA-së, të cilët ndodhen në Kosovë që nga viti 1999, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.