GSJP: Për vitin 2018 janë realizuar në tërësi rreth 65% e objektivave të MSA-së

Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka vlerësuar punën e institucioneve në zbatimin e obligimeve të dala nga matrica e masave afatshkurtra të planit kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit duke paraqitur performancën e secilit institucion.

Njomza Mjeku, nga ky grup, tha se për vitin e kaluar 45 institucione kanë qenë përgjegjëse për realizimin e rreth 600 objektivave, ndërsa më pas shpalosi edhe përqindjen e realizimit të tyre.

“Për krejt vitin 2018 kanë qenë përgjigje gjësë 45 institucione për realizimin e rreth 600 objektivave nga të cilat 64.57% janë plotësuar në tërësi, 23.67% janë pjesërisht të plotësuara dhe 7.29% mbesin nga ato objektiva që nuk janë ndërmarrë asgjë. Ndërsa për kategorinë që nuk kemi pranuar informacion janë 4.47% të objektivave e që është një shenjë jo shumë pozitive pasi që jemi në vitin e tretë që po monitorojmë MSA-në dhe institucionet përgjegjëse nuk kanë treguar bashkëpunimin e nevojshëm dhe durimin me shoqërinë civile”, deklaroi Mjeku.

Në mesin e këtyre objektivave disa prej tyre ishin edhe nxjerrja e ligjeve të reja dhe amendamentimi i tyre, plane strategjike për fusha si edukimi shëndetësor, siguria kombëtare, ndryshimet klimatike, riintegrimi i personave të riatdhesuar etj.

Po ashtu, ndër objektiva e tjerat përfshijnë hartimin dhe miratimin e koncept dokumenteve, ngritjen e kapaciteteve të institucioneve, programe për vetëdijesimin në disa fusha dhe publikimin e raporteve të ndryshme.

Mjeku tha se Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka identifikuar edhe 5 institucionet të cilat kanë pasur numrin më të madh të objektivave dhe ka parë përqindjen e realizimit të tyre.

“Nga 45 institucione i kemi identifikuar 5 insititucione që kanë pasur numrin më të lartë të objektivave për vitin 2018, konkretisht Ministria e Punëve të Brendshme e cila nga 82 objektiva ka realizuar rreth 63% të tyre, Ministria e Drejtësisë që ka realizuar 38% të objektivave, pastaj kemi Ministrisë e Tregtisë dhe Industrisë e cila nga 34 objektiva ka realizuar 80% të tyre, Ministrinë e Financave e cila nga 38 objektiva ka realizuar 71% të tyre dhe Këshilli Prokurial i Kosovës që nga 33 objektiva ka realizuar 79%”, vijoi Mjeku.

Ajo shtoi se institucionet e tjera kanë pasur maksimalisht 10 objektiva si detyrë, mirëpo nuk mund të bëhen krahasime se cilat institucione kanë punuar më shumë e cila më pak, pasi sipas saj, secili objektiv ka specifika të ndryshme.

Duke folur për masat që janë plotësuar, ajo përmendi disa ligje dhe kodin penal, përfshirë edhe funksionalizimin e kodit të ri telefonik +383.

“Nga masat që janë përfolur për vonesën e tyre e që në këtë vit janë realizuar janë Kodi penal, Ligji për KGJK-në, Ligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës, ligji për gjykatat, ligji për përgjegjësitë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe kodi i ri telefonik shtetëror që është funksionalizuar dhe kemi të drejtë të telefonojmë vetëm nëpërmjet këtij kodi”, njoftoi Mjeku.

Në fund, ajo tha se bazuar edhe në eksperiencën e vendeve të rajonit, zbatimi i MSA-së është një proces i komplikuar, i cili kërkon vëmendje të veçantë nga të gjitha institucionet kosovare.