Gruaja i vdiq në Klinikën Infektive, qytetari ankohet se mjekët në Graçanicë nuk i ofruan trajtim të duhur

Një 52 vjeçare e nacionalitetit serb me inicialet V.T. ka vdekur sot në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.  

Bashkëshorti i saj D.T. e ka paraqitur rastin në Policinë e Kosovës dhe ka kërkuar që trupit të pajetë t’i bëhet obduksioni, shkruan Demokracia.com.

Pas kësaj ankese Policia e Kosovës ka nisur hetimet për sqarimin e rrethanave të vdekjes.

D.T. i lindur më 1963 po pretendon se Qendra Mjekësore në Graçanicë, komunë kjo e banuar kryesisht nga qytetarë serb nuk i ka ofruar të ndjerës trajtimin e duhur.

Burime të Demokracia.com bëjnë të ditur se për rastin është njoftuar edhe prokuroja e Krimeve të Rënda, Mirushe Llugiqi, e cila ka thënë se me këtë rast duhet të merret Policia e Kosovës në Graçanicë.

Policia e Kosovës ka dalë në Klinikën Infektive dhe është duke e trajtuar rastin.

“Sipas informatës një pacient i nacionalitetit serb i cili ka qenë në tretman mjekësor ka ndërruar jetë. Njësiti policor ka kontaktuar me ankuesin D.T dhe  ai është ankuar për Qendrën Mjekësore në Graçanicë se nuk i kanë ofruar trajtimin e duhur bashkëshortes së tij V.T (1970) dhe e njëjta ka vdekur në QKUK Prishtinë Klinika Infektive. Ankuesi kërkon që të bëhet obduksioni I bashkëshortes”, thonë burimet e Demokracia.com në Policinë e Kosovës.