H5N8

Gripi i shpezëve shfaqet te njerëzit, sa është Kosova e rrezikuar?

Gripi i shpendëve, H5N8 është shfaqur edhe te njerëzit. Shtatë punëtorë të një ferme pulash në Rusi, janë konfirmuar dhjetorin e kaluar me këtë virus. Por sa është Kosova e rrezikuar nga kjo sëmundje?

Pas konfirmimit të rasteve me H5N8 nëpër vendet tjera, në Kosovë ka filluar marrja e mostrave nëpër ferma, për të përcjellë situatën.

Zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Lamir Thaçi, ka deklaruar se kjo po bëhet edhe në bazë të Planit Vjetor të Kontrollit dhe Monitorimit të sëmundjeve të kafshëve.

“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë përmes Drejtorisë së Shëndetit dhe Mirëqenies së Kafshëve është duke e përcjellë situatën lidhur me gripin e shpezëve H5N8 në botë. Në bazë të Planit Vjetor të Kontrollit dhe Monitorimit të sëmundjeve të kafshëve, jemi duke marrë mostra në fermat komerciale për të përcjellë situatën në vend”, ka deklaruar Thaçi.

Thaçi ka bërë të ditur se deri më tani, nuk ka raste të dyshuara me këtë virus te shpezët në Kosovë.

“Deri më tani nuk ka raste të cilat mund të jenë të dyshuara me këtë sëmundje te shpezët, apo që mund të jenë të lajmëruara si shqetësim i fermerëve apo veterinarëve në terren. Si autoritet do të ndërmarrim të gjitha veprimet e nevojshme veterinare për mbikëqyrje të situatës”, ka deklaruar Thaçi.

Thaçi deklaroi se në vitin 2005 kur gripi i shpendëve ishte shpërndarë në vendet tjera, në Kosovë nuk ka pasur asnjë rast.

“Në vitin 2005, ashtu siç kanë reaguar autoritetet e të gjitha vendeve të botës, edhe ne i kemi përgatitur kontigjenci-planet për reagim kundër gripitH5N1 dhe H5N7. Në vendin tonë, asnjëherë nuk ka qenë asnjë rast pozitiv me këto sëmundje”, ka deklaruar Thaçi.

Ndërkohë, mediat e huaja kanë raportuar se shtatë rastet e para me virusin H5N8 janë zbuluar te punëtorët e një ferme pulash në dhjetorin e kaluar në jug të Rusisë. Për këtë rast është njoftuar edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Punëtorët e infektuar me H5N8 nuk kanë pasur pasoja serioze shëndetësore dhe janë shëruar plotësisht.