Topi i artë

Griezmann: Topin e Artë duhet ta fitojë një lojtar francez

Pas publikimit të listës së ngushtë me kandidatët për Topin e Artë 2018 të hënën, Antoine Griezmann e ka bërë të qartë se në mendjen e tij lojtari më i mirë në botë duhet të zgjidhet nga ekipi që zyrtarisht është më i mirë në botë.

Cristiano Ronaldo është favorit për këtë çmim, derisa Lionel Messi menjëherë pas tij, pasi ia fitoi Barcelonës La Ligën sezonin që lamë pas, transmeton Gazeta Express.

Megjithatë, triumfi i Francës në Kupën e Botës 2018 ka bërë që sulmuesi i Atletico Madridit të besojë se një lojtar nga ekipi fitues duhet ta marrë Topin e Artë duke e thyer dominimin e Messit dhe Ronaldos, me Paul Pogban, Kylian Mbappen, Hugo Lorisin dhe vetë Griezmannin të nominuar.

“Lojtari më i mirë në botë duhet të vijë nga ekipi më i mirë në botë”, tha Griezmann në një intervistë për France Football.

“Ekzistojnë gjykime dhe mendime të ndryshme, por mendoj se një lojtar francez duhet ta fitojë Topin e Artë. Ne e kemi fituar Kupën e Botës”, shtoi ai.