Antoine Griezmann shprehu zhgënjimin e tij pasi përfundoi vetëm i treti në garën për Topin e Artë, megjithatë ylli i Atletico Madridit ka vendosur përpara triumfin në Kupën e Botës para trofeut individual.

Ishte mesfushori i Real Madridit dhe kombëtares kroate Luka Modric, ai që i dha fund dominimit 10 vjeçar të dyshes Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo.

Griezmann i ndihmoi Francës ta fitojë Kupën e Botës që u zhvillua në Rusi verën e kaluar, ndërsa fitoi edhe Europa Leaguen e Super Kupën e Europës me “Los Colchoneros”, suksese këto që nuk ishin të mjaftueshme që 27 vjeçari ta fitojë Topin e Artë, por ish lojtari i Real Sociedadit nuk do të dorëzohet së kërkuari lavdinë personale.

“Jam shumë i lumtur me vitin tim. Fitova Europa League, Super Kupën e Europës dhe Kupën e Botës, kështu që është vit i madh. Pak zhgënjim që nuk e fitova Topin e Artë por ishte natë e madhe për të festuar me fituesit dhe duhej të isha prezent. Megjithatë preferoj Kupën e Botës para këtij çmimi. Mendoj se nëse vazhdoj me formën e tanishme pse mos ta fitojë, jam në rrugën e duhur, tashmë kam qenë dy herë pjesë e podiumit”, tha Griezmann.

Modric u bë kroati i parë në histori që e fiton Topin e Artë, kurse Griezmann e ka pranuar se ylli i “Los Blancos” e ka merituar suksesin duke përmendur shpalljen kampion në Champions League.