Greva e kirurgëve: Anulohen rreth 200 operacione në ditë, Ministri Ismaili vazhdon të hesht

Mjekët kirurgë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, tash e dy javë janë në grevë.

Klinika e Kirurgjisë është jashtë funksionit, si shkak i mos plotësimit të kërkesave nga kirurgët ndaj Qeverisë dhe Ministrit të Shëndetësisë, Uran Ismaili.

E gjendja e tillë, si duket do të vazhdojë deri në plotësimin e këkesës për ngritje pagash nga kirurgët.

Doktori kirurg, Arbër Emini në një prononcim për Ballkani.info, ka thënë se oferta e paraqitur nga Ministri Ismaili ka qenë e papranueshme nga ana e tyre dhe ka mbetur të shqyrtohet ndonjë mundësi tjetër, por që deri më tani nuk ka ndodhur.

Emini ka thënë se nuk kanë caktuar ndonjë takim me Kryeministrin Haradinaj, por pritet që kjo të ndodhë nëse dëshirohet të zgjedhet problemi i grevës, e në të kundërt greva që po vazhdon, sipas Eminit, po i kushton shtetit të Kosovës me 200 operacione më pak në ditë.

“Po presim ndonjë takim me Kryeministrin Haradinaj e të shohim nëse mund të gjejmë zgjedhje për këtë problem, por deri tani nuk ka diçka zyrtare andaj edhe greva do të vazhdojë. Klinika e Kirurgjisë për momentin nuk është duke funksionuar dhe të mos harrojmë se kjo i kushton shtetit të Kosovës me 200 operacione minus në ditë”, ka përfunduar Emini. /Ballkani.info/