Greqia i bllokon 10 mijë imigrantë në kufi me Turqinë

Autoritetet greke kanë thënë se i kanë ndaluar rreth 10 mijë imigrantë, të cilët janë grumbulluar në kufirin tokësor më Turqinë.

Në një rast tjetër, policia greke njoftoi se së paku 500 persona me shtatë anije kanë arritur në ishujt Lesbos Samos dhe Chios, ku kampet e imigrantëve tashmë janë të stërngarkuar.

Turqia është zotuar se do t’ua hapë dyert imigrantëve, shumica e të cilëve vijnë nga Siria, për të vazhduar drejt territorit të Bashkimit Evropian.

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, e ka thirrur një takim të Këshillit Kombëtar të Sigurisë për të dielën shkaku i krizës në kufirin me Turqinë, shkruan “BBC”.

Shtatë barka arritën në Lesbos, katër barka në Samos dhe dy të tjera në ishullin Chios, tha një zyrtar policor.

Zëvendësministri grek i mbrojtjes, Alkiviadis Stefanis, e akuzoi Turqinë për inkurajim të imigrantëve për ta marrë rrugën drejt Greqisë.

“Ata jo vetëm që nuk po i ndalojnë imigrantët, por edhe po i ndihmojnë”, tha ai për një televizion grek.