Grenelli i reagon sërish Kurtit, insiston: Nuk është folur për shkëmbim territoresh asnjëherë

I dërguari i posaçëm i administratës Trump për dialogun Kosovë-Serbi e ka mohuar sërish të jetë folur rreth shkëmbimit të territoreve.

Ai ka reaguar në këtë mënyrë rreth konferencës online të Kurtit për mediet ndërkombëtare, organizuar nga “PresseClub Concordia” me seli në Vjenë.

“Nuk ka pasur absolutisht fjalë për shkëmbim territoresh prej meje – dhe nuk është diskutuar prej askujt tjetër në praninë time. Këtë e kemi thënë shumë herë”, ka shkruar ai në Twitter.

Kryeministri në detyrë ka thënë se presidenti i vendit, Hashim Thaçi “kishte punuar për ta rrëzuar Qeverinë e tij, pasi që dëshiron ta shpallë gjendjen e emergjencës, ta dërgojë ushtrinë në rrugë, të krijojë incidente dhe rrjedhimisht t’ia hapë rrugën një marrëveshjeje të ngutur për shkëmbim territoresh së cilës do t’i mungonte mbikërqyrja demokratike”.

“Presidenti Thaçi dëshiron një marrëveshje të ngutur me Serbinë, për qëllimin e qartë të shpëtimit nga burgu, ose në Kosovë, ose jashtë. Serbia e do anëtarësimin në BE, përderisa Grenelli mërzitet vetëm për ‘nënshkrimin në fund të faqes, jo përmbajtjes së asaj faqeje”, ka thënë ai.

Ai u ka përsëritur gazetarëve se kundërshton zgjidhjet territoriale, teksa i ka përmendur marrëveshjet e Tugjmanit dhe Milosheviqit – pasi që “asnjë fshat nuk do të dëshirojë të përfundojë në anën e gabuar”. Po ashtu, Kurti ka shtuar se të gjithë janë duke punuar drejt anëtarësimit në BE, kështu që marrëveshjet territoriale nuk janë të nevojshme.

I pyetur rreth hartës, Kurti ka thënë se nuk e ka parë një të tillë për shkëmbim territoresh, por e ka sqaruar se një këshilltar i ngushtë i Thaçit dhe një këshilltar i ngushtë i tiji ishin takuar dhe kishin biseduar për këtë gjë. “Tri komuna veriore do t’i bashkoheshin Serbisë, Presheva Kosovës, por jo edhe qyteti dhe jo hekurudha, e cila ‘i takon Kinës’”.

I pyetur rreth të dërguarit të Brukselit për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçakun, Kurti ka thënë se ekziston skepticizëm në Kosovë rreth emërimit të tij dhe të Borellit, duke pasur parasysh se të dytë vijnë nga shtete që nuk e njohin Kosovën.

“Detyra kryesore e Lajçakut do të jetë ta bindë Vuçiqin që të heqë dorë prej një marrëveshjeje për shkëmbim territoresh apo ndonjë version të shkëmbimit të territoreve”, ka thënë ai.